
Rama, në ceremoninë e hapjes së degës së bankës “Ziraat Bank” në Tiranë
Hapja e kësaj dege konsiderohet një hap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ekonomike Shqipëri–Turqi dhe në rritjen e besimit të investitorëve në tregun shqiptar.

Dega e bankës së re, “Ziraat Bank” u hap në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve turke dhe shqiptare.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e zyrave të “Ziraat Bank” në Tiranë ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Barış Ceyhun Erciyes, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, zëvendësministri i Thesarit dhe Financave i Turqisë, Abdullah Erdem Cantimur,dDrejtori i Përgjithshëm i “Ziraat Bank”, Alpaslan Çakar, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare.
“Ziraat Bank”, një nga institucionet financiare më të mëdha dhe më të vjetra të Turqisë me një histori që shtrihet prej më shumë se 160 vitesh dhe me prani ndërkombëtare në shumë vende, synon të kontribuojë në zhvillimin e sektorit bankar shqiptar. Prania e kësaj banke në Shqipëri pritet të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, të mbështesë investimet, tregtinë dhe sipërmarrjen, si dhe të ofrojë produkte dhe shërbime moderne financiare për individët dhe bizneset.
Hapja e kësaj dege konsiderohet një hap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ekonomike Shqipëri–Turqi dhe në rritjen e besimit të investitorëve në tregun shqiptar.
Marrë nga ATSH


















