
Rama për Paketën e Maleve: Prona përfitohet me 1 euro kur merret leja për zhvillim
Kryeministri Edi Rama sqaroi sot nga Thethi procedurën se si do të funksionojë Paketa e Maleve për aplikantët në këtë program.

Kryeministri Edi Rama sqaroi sot nga Thethi procedurën se si do të funksionojë Paketa e Maleve për aplikantët në këtë program.
Në një bahskëbisedim me banorë të Thethit, Rama solli si shembull projektin e tre vëllezërve të cilët përmes Paketës së Maleve do të ndërtojnë në tokën e të parëve të tyre në Theth.
“Kjo pronë sot është shtet. Pra, janë pronarë që nuk e posedojnë pronën e tyre në kuptimin e ligjit. Kadastra nuk ka në këtë territor asgjë tjetër përveçse pronë shtet. Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo dhe kjo shpjegon pse ne kemi vendosur atë 1 euron”, tha Rama.
Sipas tij, “në momentin kur merret leja, ata do të marrin dhe pronën me 1 euro në perimetrin e përcaktuar”.
“Në momentin kur ndërtimi do të mbarojë, ata do të marrin hipotekën dhe prona do të bëhet e tyrja. Ky është procesi dhe kjo shpjegon pse nuk qëndron historia me fantazma, me biznesmenë, me oligarkë, me alienë që do të vijnë nëpër male, të marrin tokat e njerëzve që i kanë trashëguar”, u shpreh Rama.
Kushdo që pretendon të kundërtën, sipas Ramës është krejtësisht i painformuar.
“Nuk ka Zot që vjen dhe i merr tokën Marianit këtu nga qyteti se e sjell këtu qeveria. Kjo është fantazi e sëmurë siç është e sëmurë edhe gjithë fantazia tjetër që ata që quhen oligarkë paskan vajtur dhe paskan pushtuar toka. Nuk kanë pushtuar ata asnjë tokë. Kanë bërë marrëveshje me pronarët ekzistues, komplet tjetër histori”, shtoi Rama.
Burimi ATSH



















