
Rama: Paketa e Maleve nuk është për oligarkët, por për trashëgimtarët e pronave
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Paketa e Maleve synon të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Paketa e Maleve synon të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501.
Në një bashkëbisedim me banorët e Thethit mbi Paketën e Maleve, Rama u shpreh se “Thethi ka qenë një nga arsyet e Paketës së Maleve dhe është një nga pasqyrat më shembullore të potencialit e aftësive për të bërë sukses dhe e problematikave që duhen adresuar”.
Kryeministri theksoi se për Paketën e Maleve ka një keqkuptim shumë të madh, ndaj po bëhet edhe ky bashkëbisedim në një truall ku trashëgimtarët nuk kishin asnjë shans të bënin zhvillim për shkak të pamundësisë ligjore.
Rama theksoi se të gjithë ata që kanë një pronë të trashëguar dhe që janë jashtë perimetrit të legjislacionit ekzistues të ligjit 7501 duhet të dëgjojnë dhe të kuptojnë deri në fund se për çfarë bëhet fjalë dhe të mos bien pre e gjithë marrëzive dhe gjithë ligësive që thuhen lidhur me këtë proces.
Duke iu referuar komenteve që i vijnë për Paketën e Maleve, Rama u shpreh se pretendimet për dhënien e tokës te oligarkët apo sjelljen e njerëzve me lekë nga qyteti për të pushtuar malet janë një imagjinatë që e dominon opinionin negativ lidhur me Paketën e Maleve.
“Paketa e Maleve është ekzaktësisht e kundërta e të gjitha këtyre që thuhen. Paketa e Maleve nuk është as për uzurpues, as për biznesmenë që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë marrëveshje me ju. As për oligarkë, as për asgjë tjetër, përveçse për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi se në këto territore nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe e kanë ndarë tokën mes tyre me kufijtë e vjetër.
“Përgjithësisht, jo gjithmonë, por përgjithësisht nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin. Por dhe për të adresuar aspektin tjetër që ka të bëjë me territore ku nuk ka asnjë mundësi të jetë zhvillimi përveç turizmit. Kjo është Paketa e Maleve”, tha Rama.
Burimi ATSH



















