
Gonxhja: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” do të mbështesë zgjerimin cilësor të turizmit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë prezantimit të Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” u ndal tek rëndësia e rritjes së vlerës së ndërmarrjeve dhe sipërmarrjeve në sektorin e turizmit, duke theksuar nevojën për një zhvillim më të gjerë dhe cilësor të industrisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë prezantimit të Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” u ndal tek rëndësia e rritjes së vlerës së ndërmarrjeve dhe sipërmarrjeve në sektorin e turizmit, duke theksuar nevojën për një zhvillim më të gjerë dhe cilësor të industrisë.
Gjatë fjalës së tij në panelin e III – Investimet në Bujqësi dhe Turizëm, Gonxhja tha se “kjo është një paketë për të cilën të gjithë bashke kemi punuar secili në përmasën edhe në proporcion dhe detyrat që ne bëjmë”.
Ai theksoi se turizmi është një nga sektorët kryesorë që përfshihet në këtë program, pasi kërkon zgjerim të kapaciteteve dhe rritje të cilësisë.
“Turizmi është pa diskutim i përfshirë, sepse ka një nevojë shumë të madhe për të pasur një zgjerim dhe për të pasur një zgjerim cilësor. Ne do të jemi aty për t’ju lehtësuar komunikimin e kësaj pakete te të gjithë ata që janë të interesuar, në mënyrë që të jetë sa më e aksesueshme”, tha Gonxhja.
Më tej Gonxhja nënvizoi rëndësinë e informimit të saktë të sipërmarrjeve, duke theksuar se shpesh bizneset, për shkak të angazhimeve të përditshme, nuk kanë kohën e mjaftueshme për t’u njohur me mundësitë dhe programet mbështetëse.
“Ne kemi një mangësi në kulturën tonë të punës sa i takon të informuarit saktë dhe të përfshirjes në mënyrë organike, për shkak se duhet të aplikojmë saktë dhe të informohemi saktë. Kjo lidhet edhe me një kulturë të trashëguar pune, me çështje besueshmërie dhe me faktin që nuk kemi qenë gjithmonë kaq shumë pjesë e politikave, reformave dhe qeverisjes në çdo kuptim të kësaj fjale”, u shpreh Gonxhja.
Ai shtoi se mungesa e informacionit mund të sjellë humbjen e mundësive për përfitim nga programet mbështetëse.
“Pastaj nuk diskutohet që ndihemi të indinjuar kur mundësitë ikin, kur treni ikën, sepse nuk kemi qenë aty”, tha Gonxhja.
Ministri Goxhja vuri në dukje se “institucionet do të vijojnë të jenë pranë bizneseve për ta bërë sa më të lehtë aksesin në këto skema, por sipërmarrësit duhet të përfshihen në mënyrë aktive në proceset e aplikimit”.
Më tej Gonxhja theksoi se “turizmi shqiptar ka ende potencial të madh për t’u zgjeruar dhe diversifikuar, duke veçuar zhvillimin e turizmit dimëror, agroturizmit, turizmit malor dhe atij eksperiencial, si edhe ekonominë detare, marinat dhe shërbimet që lidhen me lundrimin turistik”.
Gonxhja tha se një potencial i rëndësishëm mbetet edhe ekonomia kreative dhe organizimi i eventeve ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, krijojnë destinacione të reja turistike dhe gjenerojnë të ardhura për ekonominë.
“Shqipëria duhet të vazhdojë të investojë në industrinë kreative dhe në evente me impakt ndërkombëtar, ashtu siç veprojnë shumë qytete dhe vende të zhvilluara, pasi këto kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë”, tha Gonxhja.
Ai shtoi se “qeveria do të vijojë të marrë vendime që synojnë zhvillimin afatgjatë të sektorit, duke mbështetur investimet që krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë dhe rrisin atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion turistik”.
Burimi ATSH



















