
Edukimi zgjedhor nis nga shkolla, programi përfshin mbi 20 mijë nxënës dhe 2,318 mësues
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vijon punën për forcimin e edukimit zgjedhor dhe ndërgjegjësimit qytetar te të rinjtë përmes përfshirjes së shkollave në një program të posaçëm trajnimi dhe aktivitetesh edukative.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vijon punën për forcimin e edukimit zgjedhor dhe ndërgjegjësimit qytetar te të rinjtë përmes përfshirjes së shkollave në një program të posaçëm trajnimi dhe aktivitetesh edukative.
Sipas KQZ-së, në kuadër të këtij programi janë përfshirë 335 shkolla të mesme në të gjithë vendin, janë trajnuar 2,318 mësues dhe mbi 20 mijë nxënës kanë marrë pjesë në aktivitete të dedikuara për edukimin zgjedhor.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se rrjeti i mësuesve të trajnuar do të pajiset me Paketën e Edukimit Zgjedhor, e cila përfshin Manualin e Mësuesit, kalendarin e aktiviteteve jashtëkurrikulare dhe instrumentin e monitorimit të qëndrueshmërisë.
Këto materiale synojnë t’u ofrojnë mësuesve mjete praktike për të kultivuar te nxënësit vlerat e demokracisë, qytetarinë aktive dhe pjesëmarrjen në proceset demokratike.
Për garantimin e mbarëvajtjes dhe koordinimit të këtij procesi, janë zhvilluar takime pune mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) dhe Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP).
Ky program mbështetet në rezultatet e projektit “Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri”, i zbatuar nga Këshilli i Evropës me mbështetjen financiare të Republikës Federale të Gjermanisë.
Ndër arritjet kryesore të projektit janë integrimi i edukimit qytetar dhe zgjedhor në kurrikulat kombëtare, kualifikimi i mësuesve me njohuri dhe aftësi praktike mbi proceset zgjedhore, si dhe përfshirja e mijëra nxënësve në simulime votimi dhe aktivitete të edukimit zgjedhor.
KQZ thekson se bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe partnerët ndërkombëtarë synon të krijojë një brez të ri votuesish më të informuar dhe më të angazhuar në jetën demokratike të vendit.
Burimi ATSH



















