Ibrahimaj: Mekanizmi i ri për shqyrtimin e investimeve të huaja forcon sigurinë ekonomike dhe besimin e investitorëve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në aktivitetin “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, organizuar nga AmCham Albania, në bashkëpunim me Center for International Private Enterprise.


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në aktivitetin “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, organizuar nga AmCham Albania, në bashkëpunim me Center for International Private Enterprise.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit, investitorëve vendas dhe të huaj, organizatave ndërkombëtare, trupit diplomatik dhe ekspertëve të fushës, për të prezantuar Mekanizmin Shqiptar për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte (FDI Screening Framework), një instrument i ri që synon forcimin e sigurisë ekonomike të vendit dhe mbrojtjen e sektorëve strategjikë.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi, se krijimi i këtij mekanizmi është rezultat i një pune të gjatë institucionale dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Prej më shumë se dy vitesh kemi punuar për ngritjen e këtij mekanizmi, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e instrumenteve shtetërore në funksion të sigurisë ekonomike, transparencës dhe mbrojtjes së interesave strategjike të vendit”, u shpreh ajo.

Ministrja vuri në dukje se mekanizmi nuk përbën një barrierë për investimet, por një praktikë të konsoliduar që zbatohet prej vitesh në vendet e Bashkimit Europian dhe në ekonomitë e zhvilluara.

“Ky mekanizëm nuk krijon pengesa për biznesin dhe as procedura të panevojshme administrative. Përkundrazi, ai garanton më shumë siguri, më shumë transparencë dhe një mjedis më të besueshëm për investitorët seriozë që zgjedhin Shqipërinë për të investuar”, tha Ibrahimaj.

Gjatë aktivitetit, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cilësoi kuadrin shqiptar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar, se ai nuk përbën thjesht një ushtrim burokratik, por një deklaratë strategjike që tregon se Shqipëria është e hapur për investime, duke mbrojtur njëkohësisht interesin kombëtar dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare.

VanHorn vuri në dukje se investitorët, përfshirë ata amerikanë, po e ndjekin me vëmendje këtë proces dhe se kompanitë amerikane janë të pranishme në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Shqipëri.

Sipas saj, investitorët kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë.

Ajo theksoi se miratimi i kuadrit ligjor është vetëm fillimi dhe se zbatimi i tij do të jetë vendimtar për suksesin e mekanizmit, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi.

Duke iu drejtuar komunitetit të biznesit, VanHorn theksoi se mekanizmat e shqyrtimit të investimeve synojnë të krijojnë një mjedis me rregulla të parashikueshme dhe zbatim të qëndrueshëm, duke nxitur investime afatgjata dhe cilësore.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi gjithashtu ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe rritjen e vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, të cilat gjatë vitit të kaluar arritën mbi 1,6 miliardë euro.

“Investimet e huaja direkte janë një tregues i rëndësishëm i besimit që investitorët kanë ndaj ekonomisë sonë. Ato nuk kontribuojnë vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në transferimin e standardeve më të mira të menaxhimit, teknologjisë dhe zhvillimit të biznesit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të mbetet një ekonomi e hapur dhe konkurruese, ndërsa njëkohësisht forcon kapacitetet për mbrojtjen e interesave të saj strategjike”, deklaroi ajo.

Ministrja Ibrahimaj falënderoi partnerët institucionalë dhe komunitetin e biznesit për kontributin në hartimin dhe promovimin e mekanizmit të ri, duke nënvizuar se dialogu me sektorin privat do të vijojë edhe në fazën e zbatimit.

“Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: të ndërtojmë institucione më të forta, të rrisim konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe të garantojmë një klimë biznesi gjithnjë e më transparente dhe tërheqëse për investimet cilësore”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania, Neritan Mullaj, theksoi rëndësinë e krijimit të mekanizmave modernë që garantojnë sigurinë ekonomike dhe një mjedis të qëndrueshëm për investitorët, duke vendosur theksin se kuadri nuk synon kufizimin e investimeve.

Ai është një mjet rregullator për të siguruar një ambient me rregulla të qarta dhe transparente, procedura të parashikueshme për investitorët ndërkombëtarë dhe institucione të afta të ruajnë ekuilibrin ndërmjet hapjes ndaj investimeve dhe mbrojtjes së interesave strategjike të vendit, duke sjellë për rrjedhojë forcimin e besimit të publikut.

Mesazhi se investimet afatgjata shkojnë aty ku ka transparencë, parashikueshmëri dhe institucione të besueshme u konfirmua edhe gjatë misionit të fundit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Washington D.C.

Kjo u theksua edhe nga Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, i cili vlerësoi se mekanizmi i skanimit të investimeve ka qenë një proces për të cilin AmCham është investuar prej kohësh dhe u finalizua falë bashkëpunimit me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.

Një prezantim të rregullores, çfarë përfaqëson dhe mënyrën se si do të zbatohet, u bë nga zv.ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, i cili më pas u bashkua në një panel me kryetaren e Komitetit Ligjor të AmCham Albania, Albana Karapanço dhe kryetarin e Komitetit të Investimeve, Ardian Shehu për të ndarë reflektimet dhe pritshmëritë e tyre lidhur me implementimin e mekanizmit të ri.

Marrë nga ATSH

Ibrahimaj: Mekanizmi i ri për shqyrtimin e investimeve të huaja forcon sigurinë ekonomike dhe besimin e investitorëve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në aktivitetin “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, organizuar nga AmCham…

Global 360

SHBA-ja dhe Irani shpallin marrëveshje kornizë për paqen, pritet rihapja e Ngushticës së Hormuzit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë njoftuar arritjen e një marrëveshjeje kornizë për paqen, e cila pritet të…

Diplovista

Rama për “Associated Press”: Ende s’ka projekt për Zvërnecin, ka shumë ‘gjysmë të vërteta’ që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Associated Press (AP), theksoi se do të ecë përpara me projektin luksoz, i…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Vizita që ndryshoi të ardhmen strategjike të Shqipërisë

Kujtime nga vizita historike e Presidentit George W. Bush në Tiranë

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Ibrahimaj: Mekanizmi i ri për shqyrtimin e investimeve të huaja forcon sigurinë ekonomike dhe besimin e investitorëve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në aktivitetin “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, organizuar nga AmCham…