
Rama në Durrës: PS garantoi stabilitetin dhe afroi Shqipërinë me BE-në në 35 vite rrugëtim
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, në aktivitetin e zhvilluar sot në Durrës me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, vlerësoi rrugëtimin dhe transformimin e PS-së ndër vite, duke e lidhur atë me zhvillimin e Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, në aktivitetin e zhvilluar sot në Durrës me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, vlerësoi rrugëtimin dhe transformimin e PS-së ndër vite, duke e lidhur atë me zhvillimin e Shqipërisë.
Rama tha se ky përvjetor përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për të kujtuar një datë historike, por edhe për të reflektuar mbi kontributin e të gjithë atyre që, sipas tij, i dhanë Partisë Socialiste “aq sa mundën, kurdo që mundën dhe kudo që mundën”.
Ai kujtoi vështirësitë e viteve të para të PS-së, kur, sipas tij, në disa zona të vendit edhe vetë emri i partisë krijonte reagime negative.
“Është e paimagjinueshme sot që të duash të mblidhesh dhe të mos të lejojë policia, por ky ka qenë realiteti i atyre që morën kurajon të themelojnë PS-në”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se gjatë 35 viteve të fundit rrugëtimi i Shqipërisë është njehsuar me rrugëtimin e Partisë Socialiste.
“Nëse Shqipëria sot është një Shqipëri tjetër, kjo është në radhë të parë puna, vepra dhe merita e familjes së madhe socialiste dhe progresistëve shqiptarë”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, historia e Partisë Socialiste është histori transformimi të brendshëm në funksion të transformimit të vendit.
“Historia e PS-së është historia e një transformimi të brendshëm në funksion të një vendi që duhej dhe duhet transformuar, dhe PS u bë zëdhënësja e nevojave të vendit dhe njëkohësisht edhe fuqia që i adresoi ato nevoja. Kur Shqipëria pati nevojë për stabilitet, ishte PS që e mishëroi dhe e garantoi atë stabilitet. Kur Shqipëria pati nevojë për kurajë për të ndërmarrë reforma të nevojshme, ishte PS që i ndërmori ato reforma”, deklaroi Rama.
Duke folur për integrimin europian, Rama tha se afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian lidhet drejtpërdrejt me punën dhe përkushtimin e Partisë Socialiste.
“Nëse sot Shqipëria është më pranë se kurrë Bashkimit Europian, ka vetëm një arsye të madhe dhe pastaj vijnë të tjera, më të vogla, por kjo arsye është forca, përkushtimi dhe puna e PS-së”, tha ai.
Rama u ndal edhe te rezultatet e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit, duke i cilësuar ato si më të mirat historike për PS-në në këtë qark.
“Në zgjedhjet që lamë pas kemi marrë rezultatin më të mirë historik të PS-së në qark. Për një numër shumë të vogël votash nuk morëm mandatin e nëntë, por garantuam një distancë nga kundërshtarët më të madhe se asnjëherë më parë”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se rezultatet e PS-së burojnë nga puna, organizimi, përkushtimi dhe besimi i strukturave të partisë.
“Kush është pjesë e kësaj familjeje dhe protagonist i rezultateve tona e di shumë mirë që rezultatet burojnë nga puna, organizimi, përkushtimi dhe një besim i jashtëzakonshëm te vetja”, tha Rama.
Rama paralajmëroi se ky është i pari takim në një sërë takimesh që janë planifikuar për 35-vjetorin e kësaj force politike.
“E çelëm këtë cikël takimesh kremtimi dhe reflektimi në Durrës jo rastësisht, por sepse Durrësi është shëmbëlltyra e një transformimi të madh që ka në themelin e vet transformimin e vetë PS-së, nga një forcë e krijuar nga një grup njerëzish kurajozë, në një atmosferë negative ndaj tyre dhe PS-së, në një forcë që hap pas hapi, me vendosmëri, durim, organizim e përkushtim, u rrit dhe u kthye në një forcë jo vetëm fituese, por në një forcë dominuese në të gjithë qarkun Durrës, Krujë e Shijak”, tha ai.
/Marrë nga ATSH



















