
Rama: Administrata publike, rol thelbësor për rritje ekonomike të qëndrueshme
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e administratës publike në konsolidimin e rritjes ekonomike.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e administratës publike në konsolidimin e rritjes ekonomike.
I pranishëm në prezantimin e platformës së punësimit, Rama theksoi se ekonomia rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe për shkak se kemi një administratë shumë më të mirëpozicionuar në raport me proceset që duhet të kryejë për ta ndihmuar rritjen e ekonomisë.
Sipas tij, nuk mjafton absolutisht që qeveria të marri vendimet e duhura, por duhet që këto vendime të zbatohen.
“Nuk mjafton absolutisht që ekonomia në vetvete të rritet ose të ketë tendencën të rritet, nëse kjo nuk reflektohet në të ardhurat për qytetarët dhe për shtetin. Duhet një administratë e fortë, një administratë që ka aftësi nga njëra anë dhe integritet nga ana tjetër për të pasur rritjen e vazhdueshme që kemi, qoftë nga të ardhurat në dogana, qoftë nga të ardhurat në tatime”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi edhe ndikimin e administratës në krijimin e një klime biznesi pozitive, ku kompanitë të performojnë pa u ndjerë nën presionin e vazhdueshëm të kërkesës për ryshfet apo të korrupsionit.
“Patjetër që duhet një administratë që është e mirëpozicionuar në raport me qëllimet e shpallura të qeverisë për t’ia dalë që në fund të ditës rritja ekonomike të përkthehet në rritje pagash, në rritje pensionesh dhe në më shumë të drejta”, tha Rama.
Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se sot mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e policisë dhe Forcat e Armatosura marrin edhe pagën ekstra të vjetërsisë në punë.
“Nuk mund të paguhet njësoj dikush që ka një vit që punon me dikë që ka 15 vjet në punë. Këtë e kemi ditur, por nuk kemi mundur ta materializojmë. Pse? Sepse ekonomia nuk na e ka dhënë këtë mundësi. Sepse të ardhurat e mbledhura nuk na e kanë dhënë këtë mundësi. Sepse administrata që kemi pasur nuk na ka ndihmuar sa duhet për t’ia dalë dhe për ta realizuar këtë mundësi. Sot e kemi, sepse ekonomia na përgjigjet edhe sepse administrata na ndihmon”, përfundoi Rama.


















