
Gogu takim me studentët në Elbasan: Integrimi evropian është mënyra si funksionon drejtësia për qytetarin
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi sot një takim me studentët në Elbasan, ku u diskutua rreth integrimit në Bashkimin Evropian si dhe reformën në drejtësi.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi sot një takim me studentët në Elbasan, ku u diskutua rreth integrimit në Bashkimin Evropian si dhe reformën në drejtësi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri nënvizoi se “Evropa nuk është vetëm një destinacion politik, është një standard i përditshëm funksionimi”.
Sipas tij, “reforma në drejtësi ka ndërtuar institucione të reja dhe ka sjellë rezultate konkrete, nga vetingu deri te ulja e stokut të çështjeve në Gjykatën e Lartë me 60% në pesë vite”.
Por sfidat theksoi Gogu mbeten, duke nisur nga “konsolidimi i sistemit, digjitalizimi, rritja e aksesit dhe mbi të gjitha ruajtja e integritetit”.
“Mesazhi për studentët ishte i qartë: drejtësia e nesërme nuk ndërtohet vetëm me ligje më të mira, por me njerëz më të mirë. Sepse në fund, integrimi evropian nuk është një datë. Është mënyra si funksionon drejtësia çdo ditë për qytetarin”, theksoi ai.
Gjatë vizitës në Elbasan, Gogu u takua gjithashtu edhe me përfaqësues qendrorë dhe vendorë të Ndihmës Juridike Falas, Shërbimit të Provës dhe Përmbarimit Shtetëror, në Elbasan.
Ministri theksoi se gjatë takimit nuk dëgjoi vetëm statistika, por “në radhë të parë dëgjova histori qytetarësh që morën ndihmë, nëna që përfituan urdhër mbrojtjeje, prindër që qartësuan pronën, e gjyshër që iu njohën vitet e pensionit”.
“Aksesi në drejtësi nuk është një parim në letër. Është mundësia reale për t’u dëgjuar, për të kërkuar të drejtën dhe për të marrë përgjigje”, theksoi ai.
Sipas tij detyra e ministrisë së Drejtësisë është që të forcojë çdo ditë besimin me qytetarët, me shërbim, me përgjegjësi dhe me llogaridhënie.
Burimi ATSH



















