Integrimi Evropian/ Avancimi i shpejtë i Malit të Zi pavarësisht polarizimit politik

Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër


Nga Dejan Çullafiq,
Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Vendi i vogël i Ballkanit, i cili gjatë periudhës 2017-2023 u përball me sfida të shumta politike për shkak të polarizimit të theksuar me bazë etnike, dukej sikur kishte humbur rrugëtimin e tij drejt objektivit final, Integrimit Evropian. Pas ndryshimit të tre qeverive, dy prej të cilave ranë pas votës së mosbesimit, dukej sikur çdo gjë ishte e humbur.

Megjithatë, një lëvizje e re politike me emrin “Evropa Tani”, e cila e kishte zanafillën në reformën e suksesshme me të njëjtën emër që solli rritjen e pagës minimale nga 220 euro ne 450 euro, ringjalli ëndrrën evropiane të Malit të Zi. Me realizimin e premtimeve të forta gjatë fushatës elektorale dhe krijimin e koalicioneve të forta, qytetarët ia dhanë çelësat e pushtetit kësaj partie. Milojko Spajiç u emërua kryeministri i vendit ndërkohë që bashkëthemeluesi i partisë, Jakov Millatoviç, i cili, me mbështjen e të gjitha rrymave opozitare, mundi në përballje të drejtpërdrejtë ish Presidentin Millo Gjukanoviç, u emërua Presidenti i Malit të Zi.

Pas emërimit, lidershipi i ri nisi menjëherë punën për të rikthyer fokusin e shtetit në Integrimin Evropian. Në konferencën e 16-të të aderimit të Malit të Zi në BE që u zhvillua në 26 qershor 2024, Bashkimi Evropian miratoi pozicionet e përbashkëta për Kapitujt 23 dhe 24, duke konfirmuar se Mali i Zi i ka përmbushur kriteret e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit, ç’ka i hapi rrugën për mbylljen e kapitujve të mbetur të negociatave. Shumë e konsideruan këtë vendim si vendim politik duke marrë shkas nga mangësitë e shumta në formulimin e ligjeve të miratuara si edhe nga mungesa e transparencës dhe gjithëpërfshirjes në procesin e hartimit të këtyre ligjeve.

Miratimi i dhënë, e lejoi Malin e Zi që të vazhdojë me mbylljen e kapitujve të mbetur. Ecuria ka qenë aq e shpejtë, saqë në fund të vitit 2025, kryeministri Spajiq, deklaroi që Mali i Zi mund të realizojë mbylljen e të gjitha kapitujve të negociatave brenda viti 2026, duke krijuar iluzionin që vendi i vogël ballkanik është më i bashkuar se kurrë. Që nga data 26 Qershor 2024 e deri në mars 2026 Mali i Zi ka arritur që të mbyllë 11 kapituj të tjerë, duke u bërë lider absolut në garën e integrimit midis vendeve kandidate.

Por iluzioni i krijuar u shua në fillim të marsit të këtij viti.

Koalicioni mazhoritar miratoi ndryshimet në Ligjin për Punët e Brendshme, në Ligjin për Nënpunësit Civilë dhe Punonjësit Shtetërorë si edhe në Ligjin për Policinë e Malit të Zi. Këto ndryshime u konsideruan nga Opozita dhe nga OJQ-të si jokushtetuese dhe shumë kontroversiale, duke arsyetuar se punonjësit e policisë mund të hiqen nga detyra në bazë të “pengesave të sigurisë” pa kaluar një proces disiplinor dhe pa të drejtën e mbrojtjes ndaj akuzave, si dhe mund të punësohen në polici pa konkurs, gjë e cila sjell rrezik të madh për politizimin e policisë së shtetit dhe kthimin e Malit të Zi në një shtet policor. Mazhoranca i miratoi këto ndryshime duke argumentuar se ishin në përputhje me direktivat evropiane, por Komisioni Evropian, në deklaratat e tij, vuri në dukje se këto ndryshime kishin nevojë për përpunim të mëtejshëm përpara miratimit për shkak se nuk ishin ende në përputhje të plotë me direktivat e dhëna prej tij.

Për shkak të miratimit të këtyre ndryshimeve, Partia Demokratike e Socialistëvë, e drejtuar nga Danijel Zhivkoviq, e cila gjendet në opozitë, vendosi të ndërmarrë masa ekstreme të tilla si largimi i anëtarëve të saj nga postet e kryetarëve të komisioneve parlamentare për Integrimin Evropian dhe për Reformën Gjithëpërfshirëse.

Më 9 mars, Presidenti Millatoviç ndërhyri duke i rikthyer ndryshimet e miratuara të ligjit në Parlament, por rezultati mbeti i njëjtë edhe pas rivotimit më 19 mars. Në përpjekje për të zgjidhur situatën, Kryeministri Spajiç i bëri thirrje opozitës për t’u ulur në tryezën e negociatave, por partitë opozitare refuzuan, duke e konsideruar këtë thirrje një fiasko të organizuar nga qeveria për të krijuar një ndjesi stabiliteti para ardhjes së Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, znj. Marta Kos, për vizitë në Mal të Zi. Në vizitën e realizuar në Mal të Zi më datën 26 mars, znj. Marta Kos e përgëzoi Malin e Zi për progresin e deritanishëm në procesin e integrimit. Ajo theksoi gjithashtu se arritja e objektivit final, që është integrimi evropian, kërkon përfshirjen e të gjitha partive politike, shoqërisë civile, si dhe të qytetarëve malazezë. Në pyetjen që iu drejtua në lidhje me ndryshimet e bëra në Ligjin për Punët e Brëndshme, ajo rikonfirmoi qëndrimin e mëparshëm të BE-së.

Situata e krijuar e shkatërroi plotësisht iluzionin e krijuar, duke nxjerrë përsëri në pah polarizimin e skajshëm politik me të cilin aktualisht përballet Malin e Zi, si edhe rrezikun e abuzimit nga ana e qeverisë përmes hapave të rrezikshme jo demokratike të kamufluara në emër të Integrimit Evropian.

Duke parë situatën e tensionuar në vend, është e vështirë të parashikohet sesi do të vazhdojë ecuria e Malit të Zi drejt ëndrrës Evropiane. Por, eksperiencat sllovene dhe kroate në këtë rrugëtim konfirmojnë qartë se Integrimi Evropian mund të realizohet vetëm kur ekziston një konsesus i gjërë politik për ta çuar këtë proces deri në fund.

(Marrë nga Argumentum.al)

Lexo më shumë nga

Thellohet bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në bujqësi

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me ministrin e…

Global 360

Kosova ende pa një marrëveshje për president, kush do ta drejtojë vendin?

Më 4 prill, Vjosa Osmani mbaron mandatin e saj si presidente

Diplovista

Rama për ”Le Point”: Ne duhet të flasim me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mullahëve

Ne duhet të flasim me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mullahëve, i deklaroi kryeministri Edi Rama prestigjiozes franceze…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare

Në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Thellohet bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në bujqësi

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me ministrin e…