
Universiteti i Arteve dhe Akademia e Arteve të Bukura të Peruxhias, së shpejti me aktivitete të përbashkëta
Universiteti i Arteve të Tiranës dhe Akademia e Arteve të Bukura “Pietro Vannucci” e Peruxhias kanë ndërmarrë një partneritet të ri ndërinstitucional.

Universiteti i Arteve të Tiranës dhe Akademia e Arteve të Bukura “Pietro Vannucci” e Peruxhias kanë ndërmarrë një partneritet të ri ndërinstitucional.
Marrëveshja mes dy institucioneve artistike synon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në artet pamore dhe të aplikuara, skenografi, teatër, kinematografi, kërkim shkencor, si dhe organizimin e punëtorive, ekspozitave, leksioneve dhe shkëmbimeve akademike.
Universiteti i Arteve bëri të ditur se ky hap përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e horizonteve akademike e artistike, duke kontribuar edhe në ndërkombëtarizimin e tij.
Përfaqësuesit e Akademisë së Arteve të Bukura “Pietro Vannucci” u pritën nga rektori i Universitetit të Arteve, prof. dr. Erald Bakalli. Palët u shprehën për krijimin e një partneriteti afatgjatë dhe arritën në një marrëveshje mirëkuptimi, që synon të hedhë themelet për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta mes dy institucioneve. Kjo marrëveshje përqendrohet fillimisht në identifikimin e fushave të përbashkëta me interes akademik dhe artistik, duke përfshirë planifikimin e iniciativave pilot që mund të shndërrohen në projekte bashkëpunimi të qëndrueshme dhe frytdhënëse.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore në fushat e arteve pamore dhe të aplikuara, të skenografisë, teatrit dhe kinemasë.
Marrëveshja parashikon gjithashtu bashkorganizimin e punëtorive, ekspozitave, leksioneve dhe simpoziumeve, si dhe shfaqjeve artistike dhe koncerteve.
Një komponent i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi do të jetë dhe shkëmbimi i botimeve akademike dhe produkteve artistike, me synimin për të rritur më tej intensitetin dhe cilësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.


















