
RTSH dhe RAI marrëveshje bashkëpunimi, Vasili: Hap drejt standardeve europiane të medias
Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit mes RTSh-së dhe RAI-t, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike.

Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit mes RTSh-së dhe RAI-t, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike.
Marrëveshja u nënshkrua sot në ambientet e RAI në Romë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale mes dy transmetuesve publikë.
Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH, Eni Vasili përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ajo thekson se ky partneritet krijon mundësi konkrete për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit për stafet, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale.
“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në median publike. Kjo marrëveshje krijon mundësi për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale, me synim rritjen e kapaciteteve të stafit dhe përmirësimin e standardeve profesionale”, theksoi Vasili.
Një element i rëndësishëm i marrëveshjes lidhet edhe me procesin e digjitalizimit të arkivës së RTSh-së, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen dhe modernizimin e trashëgimisë audiovizive shqiptare.
“Ky partneritet përfaqëson një angazhim afatgjatë për cilësi, modernizim dhe standarde europiane, në shërbim të publikut shqiptar”, tha Vasili.
Burimi ATSH


















