
QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion
Mbrëmjen e sotme, për shkak të një problemi në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), mbetën pa energji elektrike disa zona në Tiranë.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informoi se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Sipas QSUT-së falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.
“Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme”, njoftoi QSUT.
QSUT siguroi qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.
QSUT njoftoi se ka ngritur menjëherë grupin e punës për verifikimin e situatës.
Mbrëmjen e sotme, për shkak të një problemi në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), mbetën pa energji elektrike disa zona në Tiranë.
Marrë nga ATSH


















