
OKB në Shqipëri, thirrje për mbrojtje më të fuqishme për të gjitha gratë dhe vajzat
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Kombet e Bashkuara në Shqipëri së bashku me institucione qeveritare, organizata partnere të shoqërisë civile, të rinj e të reja aktiviste, dhe qytetarë e qytetare në mbarë vendin, hapën fushatën “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” me temën globale “T’i japim fund dhunës digjitale ndaj të gjitha grave dhe vajzave.”

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Kombet e Bashkuara në Shqipëri së bashku me institucione qeveritare, organizata partnere të shoqërisë civile, të rinj e të reja aktiviste, dhe qytetarë e qytetare në mbarë vendin, hapën fushatën “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” me temën globale “T’i japim fund dhunës digjitale ndaj të gjitha grave dhe vajzave.”
Dhuna digjitale është në rritje, e nxitur nga abuzimet e gjeneruara përmes inteligjencës artificiale (IA), aktiviteteve anonime në internet dhe mangësive të kuadrit ligjor. Të dhënat nga UN Women tregojnë se në Shqipëri 41% e vajzave dhe grave të moshës mbi 18 vjeç kanë përjetuar të paktën një nga format e dhunës së ushtruar përmes teknologjisë, ndër të cilat më të rrezikuarat janë vajzat dhe gratë e reja dhe të arsimuara (18-24 vjeç). Gjatë tre viteve të fundit, 58% e viktimave të abuzimeve në internet kanë qenë gra dhe vajza, të cilat, si rezultat i përndjekjes kibernetike, zhvatjes përmes internetit dhe gjuhës së urrejtjes, kanë pasur pasoja të rënda për shëndetin, sigurinë emocionale dhe jetën shoqërore të tyre.
OKB në Shqipëri paralajmëron se abuzimet, kërcënimet dhe ngacmimet në internet kanë pasoja të prekshme të dëmshme për gratë dhe vajzat, dhe për t’iu kundërvënë atyre kërkohet i njëjti nivel mbrojtjeje, parandalimi dhe llogaridhënieje sikurse edhe për dhunën jashtë internetit, sepse urrejtja seksiste dhe mizogjiniste në internet mund të përshkallëzohet në krime urrejtjeje në botën reale. Rishikimi që po i bëhet kohët e fundit legjislacionit të vendit mbi dhunën në familje ofron një mundësi të rëndësishme për harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor të Shqipërisë me legjislacionin e BE-së mbi dhunën ndaj grave, përfshirë përmes dispozitave specifike për luftimin dhe parandalimin e krimeve kibernetike.
Dhuna me bazë gjinore në internet ose jashtë tij mbetet një nga sfidat më urgjente të Shqipërisë në fushën e drejtave të njeriut. Më shumë se një ndër dy gra dhe vajza në vend kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës gjatë jetës së tyre. Në periudhën nga 2021 deri në 2024, 27 gra janë vrarë nga partneri intim ose nga një anëtar i familjes. Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, 2,881 gra kanë raportuar dhunë, ndërsa mbi 3,650 gra kanë kërkuar ndihmë nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, nënvizoi përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e grave dhe vajzave në të gjitha hapësirat:
“Parandalimi dhe reagimi kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave përfshirë në hapësirat digjitale kërkon politika të qarta, institucione të fuqishme dhe vullnet kolektiv. Angazhimi i Shqipërisë është i palëkundur: ne do të forcojmë legjislacionin, do të fuqizojmë më tej llogaridhënien, dhe do të zgjerojmë sistemet e mbrojtjes në mënyrë që çdo grua dhe çdo vajzë në Shqipëri të mund të jetojë, të flasë dhe të marrë pjesë e lirë dhe e sigurt. Investimi në sigurinë e tyre nuk është opsional; ai është prioritet kombëtar dhe tregues matës i demokracisë sonë”, tha Sala.
Në ceremoninë e hapjes së fushatës, Ingrid Macdonald, Përfaqësuese e Përhershme e Kombeve të Bashkuara theksoi se:
“Ndërsa nisim 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, gjendemi përballë një realiteti të zymtë, që kërkon veprim të ngutshëm: dhuna digjitale po rritet me shpejtësi alarmuese. Në Shqipëri, 41% e grave janë përballur me dhunë në internet, ndërsa në nivel global 1,8 miliard gra vazhdojnë të mos kenë mbrojtje ligjore. Çdo grua dhe vajzë meriton siguri, dinjitet, dhe lirinë për të jetuar pa dhunë në të gjitha aspektet e jetës – qoftë në internet apo jashtë internetit. Megjithëse këto 16 ditë të aktivizmit janë shumë të rëndësishme për të vënë në qendër të vëmendjes problemin, lufta jonë nuk mund të përfundojë me përfundimin e fushatës. Dhënia fund e dhunës digjitale është një detyrë urgjente dhe e padiskutueshme dhe duhet të na shërbejë si parim udhërrëfyes në veprimet tona çdo ditë.”
Në kuadër të Programit të Përbashkët “T’i japim fund dhunës ndaj grave”, agjencitë e OKB-së në Shqipëri në partneritet me qeverinë e Suedisë, po vazhdojnë të forcojnë punën parandaluese, ofrimin e shërbimeve dhe sistemet e koordinuara të reagimit.
Këtë vit Shqipëria shënon fillimin e kësaj fushate me përpjekje dhe angazhime në shkallë të gjerë, që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimin e komuniteteve për veprim. Në të gjithë vendin do të zhvillohen aktivitete edukative, veprimtari të drejtuara nga të rinjtë dhe të rejat, nisma shkollore, forume komunitare dhe shfaqje artistike, që synojnë t’u kundërvihen normave të dëmshme dhe të promovojnë një kulturë sigurie dhe respekti, si në internet ashtu edhe jashtë tij.
“16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” është një fushatë globale e drejtuar nga UN Women në kuadër të nismës UNiTE “Bashkohuni për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave”. Ajo zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, dhe është urë lidhëse midis Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj grave dhe Ditës së të Drejtave të Njeriut.
Burimi ATSH



















