
Jaupaj: Buxheti 2026, hap vendimtar për modernizimin mjedisor dhe standardet europiane
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, deklaroi sot buxheti i vitit 2026 shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e politikave mjedisore, në forcimin e institucioneve dhe në mbrojtjen e pasurive natyrore që vendi ynë ka fatin t’i ketë të veçanta në Europë.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, deklaroi sot buxheti i vitit 2026 shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e politikave mjedisore, në forcimin e institucioneve dhe në mbrojtjen e pasurive natyrore që vendi ynë ka fatin t’i ketë të veçanta në Europë.
Në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2026, ministri tha se ky buxhet përfaqëson një kontratë kombëtare për një Shqipëri më të pastër, më të gjelbër dhe më të shëndetshme.
Sipas ministrit, buxheti i vitit të ardhshëm rritet me 9,2% krahasuar me 2025, duke arritur në 3,2 miliardë lekë, ndërsa fondet e shtuara shkojnë për investime konkrete që prekin ajrin, ujin, mbetjet dhe biodiversitetin.
Sipas tij, në vitin 2026 do të investohet në blerjen e stacioneve të reja të monitorimit të ajrit, ndërsa për sa i takon ujërave, parashikohen investime për zgjerimin e monitorimit të lumenjve dhe ujërave nëntokësore, për laboratorë dhe pajisje të specializuara, si dhe për harmonizimin me metodologjinë europiane të analizës.
Po ashtu, buxheti mbështet përmirësimin e sistemit kombëtar të mbledhjes së të dhënave për basenet Mat, Ishëm dhe Erzen, investime që, sipas ministrit, janë të lidhura drejtpërdrejt me Kapitullin 27 të negociatave dhe përbëjnë parakusht për integrimin europian.
Duke u ndalur te mbrojtja e natyrës, ministri u shpreh se projektet kombëtare për zonat e mbrojtura, si Ulëza në veri dhe Vjosa në jug, po përparojnë me ritme të qëndrueshme.
Buxheti i 2026-s financon 460 milionë lekë për investimet në ekoparkun e Ulzës, një projekt që ai e cilësoi i rëndësishëm “për turizmin e qëndrueshëm, edukimin dhe ekonominë lokale”.
Në këtë kuadër, ai nënvizoi edhe qendrën multifunksionale të Vjosës, një investim prej 690 milionë lekësh.
“Programi për muzealizimin e kësaj qendre nis në 2026-ën, pasi Vjosa në të vërtetë nuk është vetëm një lumë, është një identitet kombëtar dhe një markë ndërkombëtare”, deklaroi ministri.
Sa i takon sektorit të pyjeve, ministri theksoi se investimet do të fokusohen te njerëzit po aq sa tek infrastruktura. Sipas tij, me rritjen prej 75 milionë lekësh për kapacitetet humane të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe stafit të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, synohet forcimi i kontrollit, menaxhimit dhe mbrojtjes së territorit.
“Me këtë buxhet garantohet mbrojtja më efektive e pyjeve, kontrolli rigoroz i prerjeve të paligjshme dhe menaxhimi më profesional i zonave të mbrojtura”, tha ai.
Në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, që sipas tij mbetet sfida më e madhe territoriale, parashikohet një shtim fondi prej 1 miliard lekësh për 42 bashki, për të adresuar kërkesat e njësive të qeverisjes vendore dhe për të forcuar kapacitetet planifikuese.
Ministri theksoi se ky është hapi i parë drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve, në përputhje me ligjin e ri dhe praktikat europiane.
Shqipëria, sipas ministrit, tashmë është pjesë e programeve më të rëndësishme europiane për menaxhimin e mbetjeve.
Investimet e huaja përbëjnë një shtyllë kyçe të reformës në këtë sektor, si financimi me KfW prej 50 milionë eurosh për infrastrukturën e zonave të mbetjeve në Dibër, Durrës, Korçë, Berat dhe Vlorë, si dhe grantet për mbylljen e venddepozitimeve jo të kontrolluara dhe ngritjen e qendrave të riciklimit.
Po ashtu, shtoi ai, janë siguruar 40 milionë euro nga BE, ku 20 milionë euro janë grante për infrastrukturën në zonat e Kukësit dhe Gjirokastrës dhe 15 milionë euro vijnë në bashkëpunim me qeverinë gjermane për modernizimin dhe menaxhimin e mbetjeve.
Sipas ministrit, impakti i këtyre investimeve është i drejtpërdrejtë. “Harmonizim me standardet e BE-së, rritje e kapaciteteve të bashkive, reduktim i ndotjes, kalim drejt ekonomisë qarkulluese dhe mbyllje e venddepozitimeve të pakontrolluara”, deklaroi ministri.
Sipas tij, ky është një buxhet i një Shqipërie që nuk fshihet pas problemeve, por i zgjidh ato.
Burimi ATSH



















