
Sejko: Norma bazë e interesit për lekun mbetet 2,5%
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot që ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 2,5%.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot që ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 2,5%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se ky vendim u mor pas diskutimeve mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre.
Po ashtu, Sejko theksoi se Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1,5%; si dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3,5%.
Në fjalën e tij, Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit, mbeten të konsoliduar.
Në veçanti, sipas tij, inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit të BSH-së.
“Tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje. Fleksibiliteti që kemi shfaqur nëpërmjet koordinimit të vazhdueshëm me politikën fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit, ka mundësuar një ambient monetar akomodues për rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve”, u shpreh Sejko.
Guvernatori theksoi se ekonomia do të vijojë të shfaqë trende të ngjashme zhvillimi edhe në të ardhmen. “Në veçanti, rritja ekonomike pritet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë horizontit afatmesëm, ndërkohë që inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, shtoi ai.
Burimi ATSH



















