Kodi i ri Penal, Zaçaj: Drejtësia shihet në aksesin efektiv të qytetarëve

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj deklaroi sot se Kodi i ri Penal duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, duke mbrojtur sundimin e ligjit, jo sundimin e ligjvënësve.


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj deklaroi sot se Kodi i ri Penal duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, duke mbrojtur sundimin e ligjit, jo sundimin e ligjvënësve.

Në prezantimin e draftit të parë të Kodit të ri Penal, Zaçaj tha se Kodi Penal nuk është thjesht një listë ndalimesh por është gramatika morale e shtetit, pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare.

“Ai na tregon se çfarë na frikëson, çfarë dënojmë dhe, ndoshta më e rëndësishmja, si zgjedhim të përgjigjemi ndaj së keqes, jo me hakmarrje, por me drejtësi. Një shoqëri nuk gjykohet vetëm nga mënyra se si mbron të pafajshmit, por edhe nga dinjiteti që u garanton të akuzuarve”, tha ajo.

Zaçaj nënvizoi se “drejtësia nuk është vetëm ndëshkim për të keqen, por edhe mënyra se si trajtojmë dobësinë njerëzore, se si balancojmë interesin e rendit publik me paprekshmerine e të drejtave individuale”.

“Nëse ky Kod do t’i shërbejë Shqipërisë, nuk duhet t’i shërbejë pushtetit. Nuk duhet të jetë dhe as të bëhet një mjet frike apo ndasie. Duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, Jo shpata e shtetit. Duhet të mbrojë sundimin e ligjit, jo sundimin e ligjvënësve”, shtoi ajo.

Ndaj, vijoi ajo, “ky Kod Penal, nëse zbatohet me përkushtim na afron më shumë me idealet juridike dhe njerëzore që ndodhen në zemër të kulturës kushtetuese evropiane: proporcionaliteti, siguria juridike, rehabilitimi, ligjshmëria, drejtësia, dhe mbi të gjitha, paprekshmëria e dinjitetit njerëzor”.

“Gjykata Kushtetuese nuk qeveris dhe as nuk shkruan ligje. Ajo ruan Kushtetutën duke siguruar që çdo ligj, pavarësisht qëllimit të tij të matet me standardin suprem të drejtësisë. Dhe ju siguroj se kjo Gjykatë nuk është tërhequr kurrë nga kjo përgjegjësi dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen”, shtoi Zaçaj.

Sipas saj, “gjatë viteve, nëpërmjet vendimeve të saj, Gjykata ka formësuar rendin juridik dhe ka zhvilluar vetë kuptimin e drejtësisë në Shqipëri”.

Po ashtu, Zaçaj theksoi se Gjykata Kushtetuese ka folur qartë edhe për të drejtat procedurale, sidomos përballë zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe nevojave në ndryshim të shoqërisë.

“Gjykata ka vënë në dukje se ligji penal duhet të jetë i menduar, i studiuar dhe i debatuar. Ligjet shpesh gjykohen nga qëllimet, megjithatë drejtësia e vërtetë shihet në mënyrën se si zbatohen ato, në aksesin efektiv të qytetarëve, në trajtimin e barabartë të tyre”, nënvizoi ajo.

Sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese, reforma Ligjore nuk është një faqe e kthyer, por është një kapitull që ende po shkruhet.

“Ligjet nuk mbahen mend për mënyrën si janë shkruar, por për mënyrën si zbatohen dhe si ndikojnë jetën e qytetarëve. Me shpresën se ky Kod nuk është thjesht një reformë, por një rinovim i qartësisë sonë morale si komb për drejtësinë penale; me shpresën se ky Kod do të jetë një ligj i mirë dhe i drejtë, që brezat e ardhshëm të mund të thonë: Me të, Shqipëria zgjodhi drejtësinë jo si shfaqje, por si parim, nuk foli me frikë por me dinjitet”, tha Zaçaj, ndërsa nënvizoi domosdoshmërinë që ky Kod Penal të mbetet një mjet i drejtësisë, jo i forcës.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Peleshi takim në Vatikan me papa Leonen XIV

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u takua në Vatikan me Atin e Shenjtë, papa Leonen.

Global 360

Macron pas takimit me Ramën: Franca riafirmon mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama u prit sot në takim në Pallatin “Elysée” nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Diplovista

Rama në FII Europe 2026: Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës

Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës, deklaroi kryeministri Edi Rama në samitin ”Future Investment Initiative Europe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Chiara Modica Dona dalle Rose, Custode della Memoria, Artefice del Futuro

l’Anima di Skanderbeg e il Sogno di Leonardo da Vinci in una Donna del XXI Secolo