
Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Rama: Stërnipërit e Skënderbeut, krenarë për emrin e Shqipërisë
Shqipëria do të mikpresë në 16 maj Samitin e Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje historike që pritet të mbledhë në Tiranë liderët e vendeve evropiane.

Shqipëria do të mikpresë në 16 maj Samitin e Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje historike që pritet të mbledhë në Tiranë liderët e vendeve evropiane.
Në sheshin “Skënderbej” është ngritur tashmë “Shtëpia e Evropës”, ku do të mblidhen kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foton e monumentit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili qëndron para strukturës së ngritur enkas për këtë event.
“Më 16 maj të gjithë ata do të mblidhen nga të katër anët e Europës në sheshin tënd o Mbret dhe ne, stërnipërit e tu do të jemi të gjithë krenarë për emrin e Shqipërisë sonë, që do të shqiptohet në të gjitha gjuhët e botës”, shkruan Rama krahas fotos.
Roli i Shqipërisë si mikpritëse e Komunitetit Politik Evropian pasqyron thellimin e vokacionit europian të vendit dhe kontributin e saj për stabilitetin rajonal dhe kontinental.
Si një vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE dhe zë aktiv në bashkëpunimin rajonal, Shqipëria është e pozicionuar në mënyrë unike për të organizuar një dialog të rëndësishëm në një moment kur Evropa duhet të flasë dhe të veprojë me më shumë kohezion.
Një ditë para Samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri, liderët e Këshillit Europian dhe të Bashkimit Europian do të mblidhen në një darkë pune në Tiranë me udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Burimi ATSH