Një kujtim për Sami Frashërin!

(Botohet me rastin e 119-vjetorit të vdekjes të Sami Frashërit , 18 qershor 1904)


Nga Mid’hat Frashëri

N’Eren-Qoj, një nga fshatrat e bukur të Stambollit nga an’ e Ysqydarit, është një udh’ e gjerë afër stacionit t’udhës së hekurt, një udhë që vete nga deti e gjer në Merdiven-Qoj. Copa e kësaj udhe, q’është m’anë të poshtme të fshatit, është anosur me dy rradhë repe të mëdhenj, që hedhin një hije të hollë mbi pluhurin e trashë, që mbulon rrugën në verë dhe mbi baltën ngjitëse në dimër.

Duke ardhur nga deti dhe duke u ngjitur drejt veriut, udha ka një vajsimë të lehtë; më të dy anët shtëpi të bukura, brenda në kopshte dhe në vreshta, mbajnë ndënjësit e fatshëm të kryeqytetit një gjindje, që do dhe kërkon zbavitjen dhe që nuk lë t’i shkojë as ndonjë rasje për t’i dhënë udhë dëfrimit.

Sami Frasheri

 

Kjo udhë, si shkon rajet e hekurt, zgjatet, prapë ashtu e gjerë, po drurët e anës zhduken dhe shtëpitë bëhen më të rralla; ca më tutje, duke kthyer pak më të mëngjër, kryqëzohet me një udhë tjetër që vjen nga Koz-Gataku e vete në Gjoz-Tepe. Këtu vendi formon një shesh të lartë; ca më tej, tek kryqëzohen udhët, duket xhamia e Sahrai-Xhedid; më tutje duken ca varre, varre të vjetër dhe të rinj, që gjithë tok, kanë bërë një katër kindje të gjatë.

Nga ky vend ka një pamje të bukur mbi Çamllixhe-në. Nga veriu, përmbi dhe prapa Merdiven-Qojit, unjen pëqinjt’ e gjelbër të bregut kaq të hijshëm dhe të dëgjuar të Çamllixhe-së. Sado që shumë herë kam mbetur i çuditur përpara kësaj bukurie t’atij pëqiri veshur në bar e në drurë dhe stolisur me shtëpi të hijshme, gjithnjë kam gjetur një shije të re n’atë pamje. Po tani mendja jonë s’ka prehjen e duhur për të ndier shijen e kësaj bukurie.

– Këtu, në këta varre kemi dy shqiptarë: Tahsim Hoxha dhe Sami beu. Të parit, për fat të keq nuk dimë, ku i dergjen eshtrat , sa për të dytin, ky çip dhé ia mban të mbeturat e vdirshme, nën këtë pirg balte fle gjumin e përjetshëm, – i them shokut që kam pranë.

Një grusht dhé mbulon një njeri të gjallë, plot vullnet, tërë shpresë dhe dëshirë! Një pushim i thellë tani ka zënë vendin e asaj mendjeje gjithnjë në lëvrim dhe në punë. Rrojti një herë dhe tani më s’është.

Mid’hat Frashëri

***

Më kujtohet gjithnjë një vjershë persisht, që e këndonte Sami beu me një zë të mallëngjyer:

Der gurbet egjër myrq bigjired damen-i men
Aja qi qyned kabr qi duzed qefen-i men
Tabut-i-mera der xhoj-i bylend pyzarid
Ta bad byred buj mera der vatan-i men

Shumë herë këtë vjershë e pasonte një psherëtimë, që Sami beu pothuaj se e kish për vete të tij, aq përshtypje të madhe dhe të veçantë bënte.

Si sot po e shoh: Sami beu, kur shkruante, e kish zakon që rrinte këmbë-kryq mbi një shilte të unjët; përpara mbante një fron t’unjët, ku ishin radhitur të hapura librat; libra dhe harta të hapura kish dhe më të dy anët, më të mëngjër e më të djathtë. Shkruante kurdoherë me një rregull dhe me një durim të çuditshëm, duke u ngritur gjithnjë fort herët në mëngjes.

Nganjëherë në mes të shkrimit ngrinte kokën nga karta, që mbante në dorë, se zakon’ e kish të shkruante pa pështetur kartën gjëkund dhe shkruante pastër, me një shkrim të bukur, pa fare prishje dhe ndreqje ; ahere, syt’ e zinj, që i jepnin aq bukuri fytyrës, i ngrinte, psherëtinte dhe një vjershë i delte nga goja me një zë t’unjët; veç asaj vjershe persisht, shpesh thosh dhe të tjera persisht a arabisht.

Po ish dhe një tjetër, vjershë frëngjisht, për të cilën kish një dashje të posaçme, apo dy vjersha të Viktor Hygoit:

Pourquoi devant mes yeux revenez-vous sans cesse,
O jours de mon enfance et de mon allegresse?

Ç’ishin hidhërimet dhe shpresat e djalërisë, që kujtonte Sami beu? Në ç’shpresa, në ç’projekte pritmi, në ç’ëndërrime të djalërisë kthente sytë dhe shikonte? Ç’ishin këto shpresa që s’ishin mbaruar, që kishin pritur më kot?

Kot kemi bërë shumë herë këto pyetje me veten tonë! Po Sami beu s’i kish të shumta fjalët. Atë që di është se çfarë do që të kishin qenë shpresat, ëndërrimet dhe hidhërimet e tij, ay ish gjithnjë plot durim dhe kurrë s’e njohu dëshpërimin.

Prapë ia shoh të dy syt’ e zinj plot mendime dhe ëmbëlsi, të shkëlqyeshëm, ballët e zbuluar; më të rrallë i dilte ndonjë fjalë hidhërimi nga goja, një psherëtitje e hollë; ahere pandehnja se dëshpërimi ia shtrëngonte zëmrën, po kjo pandehje shuhej shpejt, duke parë durimin me të cilin punonte, shpresat dhe projektet që bënte… Ahere më dukej se kurrë ndonjëherë dëshpërimin nuk ia njohu zëmra dhe mendja. Edhe kështu vajti gjer n’orë të fundit.

Nga një njeri plot mendje dhe punë, tani ky pirg i vogël ka mbetur!

Stamboll, 7 gusht 1910

Marre nga faqja ne Facebook: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”

Projektligji për identitetin digjital, Ibrahimaj: Rrit sigurinë e shërbimeve elektronike

Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e…

Global 360

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Projektligji për identitetin digjital, Ibrahimaj: Rrit sigurinë e shërbimeve elektronike

Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e…