Erosi i Moravias

Intelekti dhe instikti. Me erosin në mes. Një gjë me një bukuri të çuditshme dhe torturuese.


Nga Dr. Monika Stafa

Në Itali më shumë se në cdo vend tjetër në perëndim, shkrimtarit të cdo kohe i është dashur të kalojë përmes një tradite kërkimore të asaj cfarë trashëgon për t’u konfirmuar. E copëtuar si komb dhe shtet deri në vitin 1870; e përfshirë vonë në zhvillimet e revolucionit industrial; e mangët në burimet e rëndësishme natyrore dhe e rënduar prej një sistemi klasor feudal që s’po donte të shkulej, Italia nuk ka qenë fort e gatshme për të përballuar sfidat e epokës moderne.

Thuajse 90% e popullsisë së saj vuante varfërinë dhe pabarazinë.

Përmendet në këtë epokë, p.sh., si shkrimtari më i rëndësishëm italian Giovanni Verga dhe novelat e tij, tek të cilat ndihen ndodhitë pikëlluese të jetës italiane. Por kjo rrymë nuk vazhdoi gjatë. Ajo ndërroi kah katërcipërisht nën ndikimin fatal të poetit fashist, Gabriele D’Annunzio.

Fashizmi do të ushtronte presion që letërsia italiane të merrte një kah tjetër, atë të optimizmit artificial.

Ndaj kjo është dhe arsyeja përse vazhdimisht, në veçanti vepra e Alberto Moravias do të cilësohet si një referencë nga më të mirat kur flitet për letërsinë bashkëkohore italiane.

Mjeshtëria artistike e tij arrin kulmin në romanin e shkurtër; në romanet më të gjata, ai gjen si fabul komplotin dhe thur intrigën për të tërhequr lexuesin. Por ata që e njohin mirë thonë se këtu nuk pati fort sukses.

Me mbi 15 tituj librash, ku fshikullohet pamëshirshëm përpjekja e dështuar e Italisë për t’u bërë një shtet modern, Moravia mbetet një mjeshtër i tregimit të shkurtër me stilin e tij të narracionit që të lë pa mend dhe qasjen krejt tjetër që ka ndaj seksit, si një proces jo vetëm fiziologjik por që provokon mendim. Dhe këtu ka nisur debati për të. Pa e njohur dhe pa e kuptuar në thelb veprën e tij.
Një tabu që ende i mbetet kohës.

Kur lexon Moravian të gjithë bëjnë një pyetje; përse ai është aq i ashpër në skenat e seksit?
Përse duket sikur dhunon në cdo frazë të tij.. Në cdo karakter. Në cdo ndodhi apo dhe në cdo emër që përdor.

Viola.. violento.. ‘i dhunuar’. Është një nga personazhet e tij.

….

Alberto Moravia lindi në Romë në vitin 1907. Ishte djali i një arkitekti venecian mesatarisht i pasur. Ai u godit nga tuberkulozi i kockave në moshën nëntë vjeç dhe vuajti gjatë. Sëmundja nuk u mund plotësisht derisa ajo i la Moravias një çalim të lehtë.

U bë i famshëm shumë shpejt por vetëm pasi pagoi të publikonte librin e tij të parë “Gli Indifferenti”. Nuk kish mbushur ende 22 vjec. Libri i solli një sukses të bujshëm. Në mjediset zyrtare të kohës u prit me përcmim. Megjithëse nuk përmbante asnjë referencë mbi politikën, përshkrimi i pamëshirshëm i një borgjezie të rreme ishte në kundërshtim flagrant me mitologjinë fashiste që predikohej në letërsinë e atyre viteve.

Ky libër shenjoi dhe rrugëtimin e tij drejt suksesit që nuk u ndal deri në fund.
I tillë do ishte edhe kur do shkruante për jetën dashurore të Benito Musolinit, liderit fashist që megjithëse u duk i hapur kur dha urdhër që libri të botohej, ai mbeti një diktator i vogël në një përpjekje të dështuar për të qenë një prijës modern. Sepse libri u tërhoq nga publikimi një muaj pasi kish hyrë në shtyp.

E megjithatë Moravia e donte Musolinin. I njihte atij përpjekjen për të rikompozuar perandorinë e vdekur të Romës. Dhe për një popull që kish njohur një sistem të vjetruar e të cfilitur feudal kjo thirrje do të ishte një shpresë për shpëtim.

Rrëfejnë se kur Hitleri udhëtoi drejt Romës për t’u takuar me Musolinin në vitin 1938, Elsa Morante, ikona e letërsisë italiane qëndronte pranë dritares me një tenxhere me vaj të vluar ndër duar.
Parada ushtarake e dyshes së famshme që synonte pushtimin e Europës, do të mbahej pikërisht poshtë banesës së tyre dhe ajo kish planifikuar me mendjen e një djallushkeje, t’u hidhte mbi kokë vajin përvëlues ndërsa ata parakalonin. Por nuk arriti ta kryente këtë aksion fëminor; Alberto Moravia, i cili më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj, e bindi atë të mos e bëjë këtë veprim.

Pak kohë më vonë kur gjermanët pushtuan Romën, ai mësoi se Gestapo i kish të dy bashkëshortët në listën e zezë. Në vitin 1943, çifti, duke qenë se secili prej tyre kishte nga një prind hebre, u largua nga Roma për të jetuar në një fshat të largët malor në Italinë jugore gjatë pjesës së mbetur të luftës.

Gjithmonë nuk i kam besuar përgjigjes së shkrimtarit kur e pyes mbi simbolikën e fabulës së romanit të tij; mbi forcat që përplasen në brendinë e subjektit apo dhe marrëdhënieve që ai ka dashur t’i japë jehonë.

‘Është thjesht një roman’, nuk është vetëm një përgjigje vanitoze e tyre por një dëshirë për të të larguar nga mënyra se si ata zhveshin një sistem shoqëror.

Shkrimtarët e mirë nuk janë vetëm ata që shkruajnë me një stil modern apo dhe që i përshtaten kohës. Por edhe ata që risjellin temat e tyre nën një lupë edhe më realiste, edhe më të ashpër.

“Jeta shpirtërore” e Moravias është një model sesi mërisë ndaj një borgjezie dekadente, hipokrite dhe gënjeshtare të kohës së fashizmit i shtohet një tjetër grup social -politik në vitet ’50 sic ishin të majtët e rinj.

“Jeta shpirtërore” e tij nuk është tjetër, vec historia e Italisë moderne. Nëse duhet të mësojmë mbi bumin e saj industrialist të disa viteve më vonë, kuptojmë se në cfarë kalbësirash sociale ajo u ngrit. Dhe aty mund të mësojmë përse ajo ka njohur e po njeh disa zhvillime jo fort të kënaqshme këto dekadat e fundit, jo vetëm ekonomike.

….

Në qendër të veprës së tij në tërësi, me gruan romane, Moravia simbolizon Italinë. Zëri i gruas është zëri i Italisë; është fryma e ekzistencialiste e kohës. Ndoshta duke hyrë brenda shtjellës së këtij zëri femëror ai mundi të kuptojë dhe erosin si instiktit të pashmangshëm njerëzor. Dhe ta zotërojë atë në mënyrën e tij.

Erosin e tij, si thuhet ndryshe Erosi i Moravias.

Ashtu si Balzaku që prodhon mendim prej shqetësimit të tij në lidhje me “të vërtetën e parasë”, po ashtu dhe në veprën e Moravias thellohesh po aq prej preokupimit të tij me “të vërtetën e seksit”.
Për Moravian, si për shumë italianë, seksi mbetet pasioni dhe argëtimi i natyrshëm i njerëzimit dhe asgjë që ka të bëjë me të nuk e tremb apo e turpëron atë.

Moravia mbetet një nga ata mendimtarë që i pranon të dyja anët e medaljes tek njeriu; civilizimin dhe natyrën primitive të tij, në bashkëjetesë me konfliktin e përjetshëm mes tyre.

Intelekti dhe instikti. Me erosin në mes.

Ndonëse tek vepra e tij paga e dashurisë mishtore sjell zakonisht pakënaqësi, vetë mishi, sipas tij, mbetet një mrekulli e përhershme.

Një gjë me një bukuri të çuditshme dhe torturuese.

#Vitrinaelibrit/ Jeta shpirtërore- Alberto Moravia; Vajza rrëfen historinë e jetës së saj që nga fëmijëria e hershme me një qartësi dhe sinqeritet të skajshëm, rebelimin e saj ndaj familjes, klasës dhe shoqërisë, së cilës i përket jo për shkak të lindjes. E shtyrë nga një Zë i brendshëm, nga shpirti i revoltës, i cili do t’i imponohet përmes një “plani për shkelje dhe përdhosje” të të gjitha të ashtuquajturave vlera borgjeze, ajo nuk ngurron të ndërmarrë hapa të guximshëm që do ta shpien drejt prostitucionit, orgjisë, komplotit të rrëmbimit, grabitjes dhe incestit.

Baro Aida

– Ditari i një pabesie- Emilios Solomou; është një roman që e ndërton strukturën e tij përmes rrëfimit. Ndërthurja e historisë së tre grave të përfshira është e mrekullueshme po aq dhe jetësore. Është cilësuar si një roman kushtuar kohës, zvetënimit, kujtimeve, dashurisë dhe njëherësh pabesisë që luhatet midis së tashmes dhe së shkuarës. Një rrëfim i ndërtuar në vetën e tretë ku personazhi duket se është i gdhendur pak me “paragjykim” nga vetë autori.
Botimet Toena
Te dielen ora 20:00, #vitrinaelibrit #topchannel

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Peleshi në Hungari, viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.