Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, Kuvendi me katër nisma për lustracionin

Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës diskutuan mbi lirinë e marrjes së informacionit


Nga Ilirian Agolli, VOA

Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës diskutuan sot në një konferencë të përbashkët mbi lirinë e marrjes së informacionit dhe shfrytëzimin e dokumentave historike, kryesisht materialet e fshehta të Sigurimit famëkeq të Shtetit.

Opozita i bëri thirrje Kuvendit, që të miratojë pa humbur më shumë kohë ligjin e lustracionit, për të larguar nga administrata shtetërore njerëzit e Sigurimit famëkeq të Shtetit të diktaturës komuniste.

Drejtuesi i Partisë Demokratike të opozitës, Enkelejd Alibeaj, njëherësh kryetari i grupit parlamentar të saj, tha se Kuvendi ka mbi tryezë katër nisma për lustracionin, nga opozita dhe nga shumica, dhe tani është rasti më i mirë, që ky ligj të miratohet, duke e ndarë shtetin dhe shoqërinë nga e kaluara diktatoriale.

Ai shtoi se Shqipëria ka dështuar 33 vjet në ndëshkimin e diktaturës, sepse politika shqiptare nuk ka ndërmarrë akte serioze për të ndarë shoqërinë shqiptare nga e kaluara.

Shantazhi me dosjet e sigurimit të shtetit, theksoi ai, vazhdon të jetë një nga instrumentat e luftës politike, prandaj dosjet e sigurimit të shtetit nuk janë hapur, e vërteta ka qenë e cunguar, lufta politike e ka përdorur atë.

Zoti Alibeaj shtoi se tani është rasti më i mirë që të miratohet ligji për lustracionin, bazuar në standaret ndërkombëtare, tani që krahas PD dhe PS, në Kuvend janë 4 nisma ligjore për të njëjtën çështje.

“Ligji i Lustracionit sot do të duhet të miratohet pa patur si nevojë të brendshme eliminimin e kundërshtarit politik, por si nevojë për të pastruar, për të spastruar politikën aktuale shqiptare, administratën dhe shtetin shqiptar nga metastazat e Sigurimit të Shtetit. Kjo është mëse e nevojshme. Janë zinxhirat e lidhur në ëmbët e këtij shteti”, tha zoti Alibeaj.

Shumica shprehu po ashtu vendosmërinë dhe vullnetin politik për të miratuar lustracionin, bazuar në nismën e saj, që parashikon ndryshime në dy ligje; në ligjin për partitë politike si dhe në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike.

Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të saj, tha se nisma ligjore e opozitës është e mirëpritur, ndonëse kanë përdorur një model tjetër por synimi është i njëjtë me nismën e shumicës.

Zoti Balla i quajti ndryshimet në ligjin për partitë politike si ndryshime për de-spiunizimin e politikës shqiptare nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilat do të pasqyrohen edhe në Kodin Zgjedhor edhe në ligje të tjera që do të parandalojnë zgjedhjen dhe emërimin e këtyre njerëzve në funksione shtetërore e kushtetuese.

“Asnjë prej atyre që kanë qenë në pozicione si bashkëpunëtorë, anëtarë të Sigurimit të Shtetit nuk duhet të jenë më në poste publike. Kështu mundësojmë një ndarje përfundimtare nga e shkuara e errët dhe arritjen e drejtësisë sociale për ata që vuajtën tmerret e regjimit komunist”, tha zoti Balla.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit ka luajtur një rol me rëndësi në zbardhjen e krimeve të diktaturës, e tani pritet të ketë edhe më shumë angazhim në këtë fushë.

Drejtuesja e Autoritetit, Genta Mara Sula, thotë se rishqyrtimi i dokumenteve të shërbimit sekret ndihmon viktimat e tij dhe i shërben shoqërisë për t’u bërë demokratike, transparente dhe humane.

“Jemi përballur edhe më nostalgji të diktaturës, si dhe me tendencën për ta mbajtur atë sa më të fshehtë, apo edhe për ta keqpërdorur. Sfida e rishqyrtimit historik të veprimtarisë s ëish Sigurimit të Shtetit përmes qasjes së dokumenteve ka qenë një proces gradual, që hedh dritë mbi ngjarje, njerëz, mekanizma dhe në tërësi një sistem, një regjim. Nuk është fjala vetëm për të ndriçuar veprimtarinë e Sigurimit, por për gjithë regjimin”, thotë zonja Sula.

Për afro gjysmë shekulli Shqipëria u qeveris nga regjimi komunist njëpartiak, ku Sigurimi i Shtetit ishte struktura më e ashpër e diktaturës. Sigurimi vrau pa gjyq dhe zhduku qindra kundërshtarë politikë të regjimit, ndërsa për shumë të tjerë organizoi gjyqe të rreme, internime dhe dëbime masive për familjarët e pafajshëm të gjithë moshave.

Për të gjithë këto krime kurrë nuk pati plotësisht transparencë, pendesë, falje dhe lustrim. Krahas oficerëve dhe punonjësve të rregullt të vet, Sigurimi kishte edhe mjaft bashkëpunëtorë e informatorë; shumë prej këtyre besohet se janë përfshirë në jetën politike dhe administrative të Shqipërisë këto 3 dekadat e fundit.

Tirana, bashkia e parë që hap Zonën e Lirë Ekonomike

Veliaj: “TEDA do të ofrojë 5-7 mijë vende pune. Gonxhja: Infrastrukturë moderne dhe mjedis i favorshëm biznesi

Global 360

Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë pas vrasjes së dy grave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën e 17 prillit ditë zie në vend, pas vrasjes së…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Tirana, bashkia e parë që hap Zonën e Lirë Ekonomike

Veliaj: “TEDA do të ofrojë 5-7 mijë vende pune. Gonxhja: Infrastrukturë moderne dhe mjedis i favorshëm biznesi