
Rama: Rritje page për 720 efektivë të policisë, një inspektor i RENEA-s do paguhet 1600 euro
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page.
Në rubrikën “Shënimet e Javës” në Podkastin “FLASIM” – Episodi 7, Sezoni 6, Rama u shpreh se forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të mbështeten edhe më shumë për punën sfiduese dhe të vyer që bëjnë në shërbim të komuniteteve dhe atdheut.
“Një inspektor në RENEA do të paguhet tanimë afro 1.600 euro, ndërsa një drejtues në këtë strukturë do të arrijë në afro 2.300 euro. Për forcat operacionale, paga e një inspektori do të shkojë rreth 1.200 euro, ndërsa për një kryekomisar mes 1.600 dhe 1.700 euro”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se rritja e pagave shoqërohet me investime serioze në teknologji, trajnim dhe pajisje, duke e konsideruar këtë pjesë të qasjes së vazhdueshme për forcimin e rendit dhe vendosjen e një raporti sa më të drejtë mes kërkesës për rezultate dhe vlerësimit të këtyre rezultateve.
“Bashkë me investimet serioze në teknologji, trajnim dhe pajisje, kjo rritje është një pjesë tjetër e qasjes konstante për forcimin e rendit dhe vendosjen e një raporti sa më të drejtë mes kërkesës për rezultate dhe vlerësimit sa më të përshtatshëm të këtyre rezultateve”, u shpreh Rama.
/Marrë nga ATSH



















