
Rama: Kampusi i institucioneve të Drejtësisë, mbështetje sistemit të funksionojë me standardet më të larta
Në Tiranë u prezantua sot programi për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, një pol i ri urban i godinave të sistemit të drejtësisë, si domosdoshmëri për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.

Në Tiranë u prezantua sot programi për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, një pol i ri urban i godinave të sistemit të drejtësisë, si domosdoshmëri për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.
Poli i Drejtësisë parashikohet të ngrihet në zonën e rrugës “Dritan Hoxha”, në hyrje të Tiranës, një zonë në zhvillim ku ndodhet edhe Shkolla e Magjistraturës.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një dëgjesë përmbyllëse me përfaqësuesit e gjyqësorit, para shpalljes së konkursit ndërkombëtar, theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe për forcimin e infrastrukturës ligjore të vendit.
“Është pa diskutim financimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative. Sot janë krijuar mundësitë dhe janë përmbushur edhe një sërë arsyesh për ta bërë këtë sepse jemi në një proces kur pas një reforme shumë rrënjësore në drejtësi, duhet të vazhdojmë të bëjmë detyrat. Ndërkohë që detyrat tuaja i dini dhe bëni ju, detyra jonë është që të vazhdojmë ta mbështesim sistemin që ai të funksionojë me kushtet dhe standardet më të larta”, tha Rama.
Ai shtoi se ndërtimi i kësaj qendre është një hap i domosdoshëm për të adresuar disa nga problemet e trashëguara, duke përfshirë ato që lidhen me ndërtimet e vjetra dhe kushtet e pasigurta për punonjësit e sistemit të drejtësisë.
Ai gjithashtu theksoi se ky projekt do të sjellë një ndryshim të dukshëm në organizimin dhe bashkëveprimin mes institucioneve gjyqësore dhe të administratës shtetërore.
“Trashëgimia që kemi në këtë drejtim është e vështirë dhe problematike. Sot, shumë institucione funksionojnë në kushte të papërshtatshme dhe kjo ka krijuar një sistem të ndarë që nuk mund të ofrojë shërbime të mira për qytetarët. Ne kemi nisur një proces për të ndryshuar këtë dhe për t’i dhënë fund kësaj situate. Do të ndërmarrim hapa për të bërë çdo gjë që mundemi për të zhvilluar një sistem të drejtësisë të shkëlqyer”, theksoi ai.
Kryeministri gjithashtu u ndal në rëndësinë e përdorimit të teknologjisë dhe infrastrukturës moderne për të optimizuar funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Kemi pasur vonesa katastrofike në menaxhimin e çështjeve gjyqësore, pasi nuk kishte një qasje të qartë për trajtimin e sistemit. Ajo që thoshim ishte shumë e thjeshtë: gjuha duhet të jetë e njëjtë dhe librat të jenë të ndarë. Nuk mund të ketë pavarësi të sistemit të drejtësisë nëse ndërtimi i një sistemi teknologjik të pavarur është bërë në mënyrë të tillë që nuk komunikon me sistemet e tjera. Kjo çoi në humbje kohe dhe burimesh të mëdha. Në këtë kontekst, ka një rol të rëndësishëm që duhet të luajë qeveria e gjyqësorit, dhe duhen ndërmarrë hapa për të siguruar që sistemi funksionon si duhet. Kemi për qëllim që të sigurojmë që çdo projekt të jetë i suksesshëm, dhe për këtë arsye, çdo hap që ndërmerret do të bëhet i përbashkët dhe do të jetë në përputhje me standardet më të larta. Ky është një projekt i rëndësishëm dhe besoj se do të japë rezultatet që ne presim. Procesi ka filluar dhe çdo hap i ri është i bazuar në marrjen e informacionit në mënyrë të duhur dhe të saktë, në mënyrë që të mund të realizojmë objektivat tona”, tha Rama.
Pas këtij procesi, do të shpallet konkursi ndërkombëtar dhe se i gjithë ky projekt do të finalizohet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
“Ne kemi fatin të kemi në dispozicion arkitektë dhe profesionistë ndërkombëtarë, që do të krijojnë një projekt të jashtëzakonshëm. Kjo është një mundësi që do ta shfrytëzojmë për të siguruar që ky projekt të realizohet me sukses”, tha kryeministri Rama.
Marrë nga ATSH


















