
Netanyahu: Marrëdhëniet Shqipëri-Izrael më të mira se kurrë
Në një seancë plenare speciale të mbajtur në Knesset, parlamentin e Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu në fjalën e rastit vlerësoi si mjaft pozitive marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke i cilësuar ato si më të fortat ndonjëherë si në aspektin qeveritar, ashtu edhe në atë personal.

Në një seancë plenare speciale të mbajtur në Knesset, parlamentin e Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu në fjalën e rastit vlerësoi si mjaft pozitive marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke i cilësuar ato si më të fortat ndonjëherë si në aspektin qeveritar, ashtu edhe në atë personal.
“Sot marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe shtetit të Izraelit janë më të mira se kurrë, si në aspektin qeveritar, ashtu edhe në atë personal”, u shpreh Netanyahu, duke theksuar simbolikën e flamurit shqiptar. “Kur shoh sot dy kokat e shqiponjës që shikojnë në drejtime të ndryshme, shoh një shembull të së shkuarës dhe të së ardhmes”.
Ai shtoi se kjo simbolikë përfaqëson një vizion të përbashkët drejt së ardhmes, të bazuar në forcimin e mirëqenies dhe sigurisë mes dy vendeve. “Shoh diçka që simbolizon një shikim drejt së ardhmes, që bëhet më i fortë, me më shumë mirëqenie dhe më shumë siguri midis dy vendeve tona”, tha ai.
Kryeministri izraelit vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar mbështetjen e saj të hapur për Izraelin. “Qeveria juaj po hap krahët, ashtu si shqiponja në flamurin tuaj. Përpjekjet që po bëni për ta çuar Shqipërinë përpara dhe miqësia e thellë për Izraelin, e shfaqur hapur në forume ndërkombëtare, duke qëndruar në anën e së vërtetës dhe kundër gënjeshtrës, janë të çmuara për ne”, u shpreh Netanyahu.
Duke folur për situatën e sigurisë, Netanyahu iu referua sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, duke e cilësuar atë si një akt terrorist çnjerëzor. “Ajo që pamë ishte çnjerëzore. Terroristët vranë, përdhunuan dhe dogjën njerëz të pafajshëm. Ky ishte akti hapës i një lufte që synonte të na fshinte nga faqja e dheut”, tha ai.
Netanyahu theksoi se Izraeli do të vijojë përpjekjet për të garantuar sigurinë e tij. “Ne do të luftojmë kundër kujtdo që na sulmon. Ushtarët tanë do të mbrojnë shtëpitë tona dhe vlerat tona”, u shpreh ai, duke shtuar se Izraeli ka arritur të kthejë të gjithë pengjet, si ata të gjallë, ashtu edhe ata që kanë humbur jetën.
Sipas tij, faza e radhës është çarmatimi dhe shpërbërja e Hamasit. “Faza tjetër është shpërbërja e Hamasit dhe çarmatimi i Gazës, dhe ne duam ta përshpejtojmë këtë proces”, deklaroi Netanyahu.
Në fjalën e tij, Kryeministri izraelit vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë si një vend me shumicë myslimane që promovon bashkëjetesën dhe paqen. “Shqipëria është shembull i bashkëjetesës. Ky është islam i moderuar, krejtësisht kundër ekstremizmit dhe xhihadit”, tha ai.
“Ju, Edi, keni shumë vlera. Shkalla juaj morale është e lartë. Por, fatkeqësisht, disa shtete janë bërë pjesë e propagandës që mbështesin islamin në vend të liberalizmit. Shohim urrejtje në vendet europiane duke mbështetur terrorin. Heshtja e shumë vendeve europiane teksa shohin terrorin në Iran është standard i dyfishtë i politikës së tyre. Pra nëse do të sulmohej Izraeli atëherë nuk do flisnin për gjenocid, por nëse do të sulmojë Izraeli do të flitej për gjenocid”, tha kryeministri izraelit Netanyahu.
Burimi ATSH



















