
Rama: Siguria ushqimore, sfida kryesore në mbylljen e negociatave të anëtarësimit në BE
Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot garantimin e sigurisë ushqimore si një ndër sfidat kryesore në procesin e integrimit europian.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot garantimin e sigurisë ushqimore si një ndër sfidat kryesore në procesin e integrimit europian.
Kryeministri Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një mbledhje me grupin parlamentar të PS-së ku bëri një përmbledhje të punës dhe të sfidave që janë ndeshur në sesionin e mëparshëm parlamentar, por edhe u vendosën disa objektiva për në vijim.
Rama theksoi se tashmë Shqipëria ka hyrë në fazën më intensive të negociatave me Bashkimin Europian. “Në një hark kohor relativisht shumë të shkurtër, prej vetëm 2 vitesh, Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.
Rama solli në vëmendje barrën e detyrimeve dhe kushteve që duhet të përmbushë vendi për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe për të përballuar përfshirjen në një realitet tërësisht të ri, siç është realiteti i një tregu prej 450 milionë njerëzish.
“Shqipëria e integruar do të jetë një pikë uji në oqean dhe sfida për të gjithë sektorin prodhues dhe po ashtu për institucionet do të jetë e shumëfishtë. Ne përmes skuadrës së negociatave jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme pas momentit të anëtarësimit që t’i japim mundësi vendit që të jetë i gatshëm të përmbushë të gjitha kriteret”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor, për të gjithë prodhuesit në fshat dhe për të gjithë sipërmarrjet që përpunojnë prodhimet ushqimore.
Në kushtet e sotme, Rama tha se jemi të paintegrueshëm në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE-së.
“Për këtë arsye, po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vitesh pas anëtarësimit, por përgatitjet duhet të fillojnë tani”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje situatën në të cilën ndodhej vendi për sa i përket sigurisë ushqimore në vitin 2013 dhe arritjet që janë bërë në këtë fushë.
“Kur kemi marrë detyrën rrugët e Shqipërisë ishin njëkohësisht tregje ushqimore dhe thertore. Të gjitha autostradat e vendit ishin të kufizuara nga tezgat dhe tregjet informale ushqimore. Shumë përparim është bërë por ama në raport me kriteret e sigurisë ushqimore të BE-së jemi ende larg”, shtoi Rama.
Rama paralajmëroi se në momentin e anëtarësimit dhe kur përfundon periudha e ndërmjetme asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk mund të shitet jashtë vendit.
Madje sipas tij edhe në Shqipëri do të funksionojnë kriteret e njëjta dhe ushqimet mund të bllokohen nëse nuk përmbushin kriteret e sigurisë.
“Pastaj në skenarin më pesimist do të thotë se gjithçka që hahet të importohet. Për këtë arsye duhet një super punë por edhe super vendosmëri nga ana jonë si vendimmarrës për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që ‘vazhdoj të punoj’. Gjithësekush duhet të vendoset në pozita shumë të forta përgjegjshmërie dhe pune sepse në rastin më të mirë janë vetëm 10 vite përpara dhe është një punë shumë e madhe për t’u bërë”, u shpreh Rama.
Marrë nga ATSH


















