
Panaire, ekspozita dhe aktivitete për të gjitha grup-moshat në Durrës
Në prag të mbylljes së vitit 2025, qyteti i Durrësit është gjallëruar mes muzikës, koncerteve dhe aktiviteteve për të gjitha grup-moshat. Sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit janë veshur me dekore festive, ndërsa organizimet argëtuese kanë shtuar ndjesinë e festës në çdo cep të qytetit.

Në prag të mbylljes së vitit 2025, qyteti i Durrësit është gjallëruar mes muzikës, koncerteve dhe aktiviteteve për të gjitha grup-moshat. Sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit janë veshur me dekore festive, ndërsa organizimet argëtuese kanë shtuar ndjesinë e festës në çdo cep të qytetit.
Migena Muhaj, drejtore pranë Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare në bashkinë Durrës, tha për ATSH-në se “programi i festimeve ka përfshirë një gamë të larmishme aktivitetesh, duke nisur nga panairet e Krishtlindjes dhe Panairi i Fundvitit, të cilët kanë krijuar hapësira takimi për familjet dhe vizitorët, si dhe kanë shërbyer si platforma promovimi për produktet artizanale dhe punimet tradicionale të bizneseve dhe artizanëve të Durrësit”.
“Një vend të rëndësishëm në kalendar kanë zënë edhe ekspozitat artistike, ku veçohet aktiviteti i ekspozitave “Magjia e Dhjetorit” dhe “Ekspresione Urbane”, të cilat kanë pasqyruar krijimtarinë bashkëkohore dhe frymën festive përmes formave të ndryshme të artit vizual. Një pjesë kyçe e programit kanë qenë edhe koncertet festive, si Koncerti i Rinisë dhe “Tingujt e Adriatikut” për fëmijë, të cilat kanë sjellë në skenë artistët e rinj Durrsakë, duke ofruar programe muzikore për audienca dhe grupmosha të ndryshme”, tha Muhaj.
Muhaj tha se kalendari i festimeve të dhjetorit në Durrës pasqyron angazhimin e bashkisë Durrës për të ofruar aktivitete cilësore, gjithëpërfshirëse dhe me ndikim kulturor, social dhe ekonomik, duke e kthyer qytetin në një hapësirë aktive, dinamike dhe festive gjatë gjithë muajit dhjetor.
Sipas Muhajt, programi festiv u shtri përgjatë gjithë muajit dhjetor, duke u ndërtuar si një kalendar i vazhdueshëm aktivitetesh që i jep qytetit një atmosferë festive nga fillimi deri në ditët e para të vitit të ri.
Muhaj shtoi se kalendari i festimeve solli disa risi të rëndësishme krahasuar me vitet e mëparshme, të cilat synojnë pasurimin e përvojës kulturore, rritjen e përfshirjes së publikut dhe forcimin e lidhjes mes artit, komunitetit dhe institucioneve vendore.
“Brenda këtij programi të zgjeruar, përqendrimi i veçantë te të rinjtë e qytetit përbën risinë më domethënëse të këtij viti. Arti pamor, teatri dhe muzika kanë zënë një vend të rëndësishëm përmes ekspozitave, shfaqjeve dhe koncerteve, duke nxitur pjesëmarrjen aktive të brezit të ri në jetën kulturore dhe duke i kthyer të rinjtë jo vetëm në spektatorë, por edhe në kontribues të drejtpërdrejtë”, vijoi ajo.
“Një vëmendje e posaçme i është kushtuar gjithashtu fëmijëve, përmes shfaqjeve artistike dhe aktiviteteve interaktive të dedikuara për ta, si dhe përmes bashkëpunimeve me kopshtet dhe shkollat e qytetit dhe të rrethit, duke e kthyer festën në një përvojë njëkohësisht edukative dhe argëtuese për brezin më të vogël”, tha Muhaj, teksa theksoi se një vëmendje e veçantë i është dhënë traditës dhe identitetit kulturor, duke ndërthurur elementë bashkëkohorë me vlerat kombëtare dhe lokale, në mënyrë që festimet të pasqyrojnë më qartë identitetin kulturor të Durrësit.
Muhaj tha se njëherësh janë parashikuar edhe masa për menaxhimin e fluksit të qytetarëve dhe vizitorëve përgjatë ditëve festive.
“Në bashkëpunim me forcat e rendit dhe policinë bashkiake, janë marrë masa për rregullimin e qarkullimit në hapësirat publike. Për aktivitetet që zhvillohen në ambiente të mbyllura, si Pallati i Sportit, galeritë apo qendrat kulturore, është marrë parasysh kapaciteti maksimal i hapësirave, në mënyrë që çdo pjesëmarrës të ketë një eksperiencë të sigurt dhe të rehatshme. Në këtë mënyrë, sigurojmë që festimet e dhjetorit të jenë të gjalla, por të menaxhueshme dhe të sigurta, duke garantuar një përvojë pozitive për të gjithë qytetarët dhe vizitorët”, përfundoi ajo.
Burimi ATSH


















