Rama: Përgatitja e fermerëve për anëtarësimin në BE duhet të nisë që tani

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përgatitja e fermerëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të nisë që tani dhe të jetë një proces i përditshëm, i fokusuar te investimi në dije, burime njerëzore dhe standarde cilësie.


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përgatitja e fermerëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të nisë që tani dhe të jetë një proces i përditshëm, i fokusuar te investimi në dije, burime njerëzore dhe standarde cilësie.

Gjatë aktivitetit “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku u prezantuan mekanizmat praktikë për përgatitjen hap pas hapi drejt BE-së, Rama u bëri thirrje sipërmarrësve të sektorit bujqësor që të mos humbasin asnjë ditë pa investuar në zhvillimin e kapaciteteve të tyre.

“Mos lini ditë të kalojë pa investuar tek mendja e kompanisë, pa investuar tek fuqia njerëzore e kompanisë. Mos lini ditë të kalojë pa trajnuar dhe pa përditësuar dijen”, u shpreh Kryeministri.

Sipas Ramës, mungesa e dijes dhe e përgatitjes ka sjellë falimentime të menjëhershme në vende të tjera në momentin e hapjes së tregut europian.

“Dija është ajo që, kur ka munguar, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e hapjes së dyerve të BE-së. Vendoset dryni dhe nuk të pranon më njeri ato që prodhon”, tha ai.

Kreu i qeverisë theksoi se pas anëtarësimit në BE, Shqipëria nuk do të trajtohet më si vend eksportues nga jashtë BE-së, por si pjesë e tregut të brendshëm europian, ku standardet janë shumë më të rrepta.

“Sot, ti je një fermer që prodhon jashtë BE-së dhe kontrollohesh përpara se të hysh atje. Nesër ti do prodhosh në një vend të BE-së. Është njësoj si të prodhosh në Lushnje për Tiranën. Nëse je problem për sigurinë ushqimore, bllokohesh aty dhe mbaron”, nënvizoi Rama.

Ai shtoi se instrumentet e kontrollit dhe mënyra e funksionimit të fermave në tregun e përbashkët europian janë shumë më rigoroze krahasuar me realitetin aktual në Shqipëri.

“Rreptësia, rigoroziteti, saktësia dhe cilësia në BE nuk kanë asnjë krahasim me atë që bëjmë sot këtu”, deklaroi Kryeministri.

Rama e cilësoi si përgjegjësi të përbashkët përgatitjen për këtë fazë, duke theksuar rolin e shtetit në informimin e fermerëve dhe detyrimin e tyre për t’u përditësuar vazhdimisht.

“Do të ishte fatkeqësi që Shqipëria të bëhej anëtare e BE-së dhe qoftë edhe një sipërmarrës i vetëm të thoshte: nuk e dinim me çfarë kushtesh do përballeshim”, u shpreh ai.

Në përfundim, Kryeministri theksoi se kjo periudhë duhet shfrytëzuar për të rritur kapacitetet dhe për të forcuar një sektor që, sipas tij, është jetik për zhvillimin e vendit.

“Detyra jonë është t’ju informojmë sa më shumë dhe në mënyrë sa më sistematike. Detyra juaj është të informoheni dhe të kërkoni vazhdimisht të dini çfarë duhet të bëni për të qenë gati”, theksoi Rama.

Pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, hapet kështu një fazë e re për bujqësinë shqiptare, me kapitujt 11, 12 dhe 13 në qendër të reformave drejt Bashkimit Europian.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Prezantohet “Pasqyrë Albania”, Rama: Çdo ankesë do të gjurmohet, institucionet do të japin përgjigje brenda afatit

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e re “Pasqyrë Albania”, një instrument digjital që synon të rrisë transparencën mbi investimet…

Global 360

Kurti: Serbia duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si historik rezultatin e arritur nga shqiptarët në zgjedhjet parlamentare në Serbi

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hijet e luftës dhe beteja për të vërtetën

Në historinë kineze, kujtesa e luftës kundër agresionit japonez zë një vend tejet të rëndësishëm dhe delikat.