Rama për heqjen e pezullimit të Ballukut: U eliminua një precedent unik në botë

Kryeministri Edi Rama komentoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila hoqi masën e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të muajit janar 2026.


Kryeministri Edi Rama komentoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila hoqi masën e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të muajit janar 2026.

Në nisje të podkastit “Flasim”, Kryeministri vlerësoi se me këtë vendim në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata me e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit.

Ndërsa në aspektin ndërinstitucional, Rama tha se “kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës, merr kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon medoemos një reflektim po kaq ndërinstitucional”.

Sipas tij, “jo thjesht e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht”.

“Kjo shkreptimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë, një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatësit për të rritur pagat e tyre”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre.

“Jo për herë të parë, fatkeqësisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjesht të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqipërisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë”, shtoi Rama.

Rama tha se “atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për SPAK-un”..

“Një shprehje e urtë italiane thotë dy indicie nuk përbëjnë një provë – çka sot në fakt po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbejnë, jo një provë, po dy dënime”, u shpreh Rama.

Por, Kreu i Qeverisë siguroi se nuk do ta ndjekë kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast.

“Por do të mbetet tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshëve të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, shtoi ai.

Kryeministri shprehu bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional në këtë drejtim.

“Pra, nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrsesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, u shpreh Rama.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Gonzato: Raporti i Komisionit Evropian, vlerësim pozitiv për Shqipërinë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e mbajtur sot me rastin e Ditës së Europës, u…

Global 360

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Gonzato: Raporti i Komisionit Evropian, vlerësim pozitiv për Shqipërinë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e mbajtur sot me rastin e Ditës së Europës, u…