
Rama: Mbrojtja shoqërore 257 miliardë lekë, biznesi i vogël pa tatim fitim deri në 2029
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pensionistët janë kryefjalë e këtij buxheti dhe do të jenë kryefjala e këtij mandati.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pensionistët janë kryefjalë e këtij buxheti dhe do të jenë kryefjala e këtij mandati.
Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet pr/buxheti 2026 dhe Paketa Fiskale, Rama u shpreh se, “mbrojtja shoqërore arrin me këtë buxhet në 257 miliardë lekë ose me një rritje prej 11.6 miliardësh që e thënë ndryshe janë 116 milionë euro”.
“Kjo shumë për mbrojtjen sociale, ndërkohë që nga një anë varfëria ulet, nga ana tjetër papunësia ulet është më shumë sesa dyfishi i mbrojtjes që kishin shqiptarët kur ne morëm detyrën”, tha Rama.
Por pa diskutim, shtoi Rama, “pa harruar edhe ata që vazhdojnë të jenë në skemën e ndihmës ekonomike. Pa harruar përfituesit si persona me aftësi të kufizuar dhe pa harruar edhe domosdoshmërinë për një qasje të re dhe një shtysë të re në aspektin e strehimit, e duke mbetur besnikërisht pranë të gjitha familjeve të reja me vazhdimësinë e bonusit të bebes”.
Nga ana tjetër, shtoi kreu i qeverisë, “jemi sot në një tjetër vit, me një tjetër buxhet, me një tjetër paketë fiskale, por mbetemi besnikërisht të palëvizshëm nga pozicioni ynë se deri në vitin 2029, biznesi i vogël nuk do të paguajë tatim fitimi”.
“Atyre që flasin për varfëri dhe që flasin për papunësi dhe që flasin për taksa, duhet t’ju them se Shqipëria ka nivelin më të lartë të biznesit pa TVSH në të gjithë Europën. Deri në 100 mijë euro xhiro biznesi nuk paguan as tatim fitimi, as TVSH. Ndërkohë që deri 140 mijë euro nuk paguan vetëm tatimin e fitimit”, tha Rama.
Në këtë pikë, theksoi Rama, “jemi padiskutim, jo vetëm shumë më lart në të gjithë rajonin në mbështetje të biznesit të vogël, por me herë”.
“Mjafton t’ju them që pragu i TVSH-së për biznesin e vogël në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut është 16 mijë euro”.
Nga ana tjetër, theksoi Rama, “një tjetër zotim i dhënë në pranverë dhe që mbahet në këtë buxhet është rritja e pagës minimale që qysh prej janarit do të jetë 500 euro dhe do të jetë një pagë që do të vazhdojë të rritet brenda mandatit të katërt me objektivin ambicioz që deri në fund të këtij mandati paga minimale në Shqipëri të jetë 700 euro”.
/Burimi ATSH



















