Rama në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel: Fituam kohën e humbur me negociatat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vetëm për 14 muaj Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian duke fituar kohën e humbur dhe duke e vendosur veten në krye të bllokut të Ballkanit Perëndimor.


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vetëm për 14 muaj Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian duke fituar kohën e humbur dhe duke e vendosur veten në krye të bllokut të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Rama iu adresua sot me një fjalë Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel, një forum me rëndësi strategjike për të ardhmen e Europës.

Në nisje të fjalës së tij, Rama vlerësoi se Shqipëria ka angazhimin e saj të palëkundur drejt familjes europiane.

Rama theksoi se zgjerimi është thjesht një tjetër fjalë për të thënë “e ardhmja e vetë Europës”.

“Është pikërisht kjo lidhje e pandashme mes zgjerimit dhe të ardhmes që më bën të flas, jo thjesht si kryeministër i Shqipërisë apo përfaqësues i një vendi negociues, por si qytetar europian. Në vend që të përdor fjalën zgjerim që ka lindur në Bruksel dhe është rënduar teknikisht, do të përdor një fjalë tjetër, ribashkim”, tha Rama.

Ribashkimi, sipas Ramës është një domosdoshmëri historike dhe e vetmja rrugë për një kontinent që duhet të ruajë prosperitetin, të mbrojë paqen.

Duke folur për progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave, Rama vlerësoi veçanërisht kontributin e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.

“Këta muaj Marta na ka mbushur me lëvizje, rezultate dhe një entuziazëm që deri vonë besoja se Brukseli e kishte humbur, dhe nuk do të kishte shans të rigjendej. Nën drejtimin e saj, Shqipëria hapi 28 prej kapitujve të negociatave. Nuk më kujtohet se kur ka qenë hera e fundit që zgjerimi ka prodhuar kaq shumë debat konstruktiv”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se për Shqipërinë ky rrugëtim nuk ka qenë i drejtë dhe i mbushur me duartrokitje.

“Vijmë nga një rrugë e gjatë e stigmatizuar jo vetëm nga veprimet tona të gabuara. Jemi vlerësuar po ashtu nga Komisioni Europian, por jemi refuzuar nga Këshilli Evropian për shkak të disa vendeve skeptike. Këto momente testuan durimin tonë dhe besimin tonë te Europa. Ajo që nuk na vrau, na bëri më të fortë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se “ne nuk i bëjmë këto gjëra për Berlinin, Parisin dhe Hagën por për veten tonë dhe brezat e ardhshëm”.

“BE është burimi ynë i hapur i njohurive. Ne mësojmë më shpejt duke u përgatitur të jemi plotësisht gati kur të vij momenti i duhur. Vetëm për 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi rikuperuar kohën e humbur dhe e kemi vendosur veten në krye të bllokut të Ballkanit Perëndimor. Ky sukses mahnitës nuk është vetëm i yni”, tha Rama, ndërsa vlerësoi kontributin e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

/Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Hoxha: Një çerekshekulli nga Ohri, marrëveshja që i dha Maqedonisë së Veriut të ardhmen

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka shkruar sot një editoral mbi 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit,…

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për “Financial Times”: Shqipëria në rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian

Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian, i deklaroi kryeministri Edi Rama prestigjiozes ”Finacial Times”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha: Një çerekshekulli nga Ohri, marrëveshja që i dha Maqedonisë së Veriut të ardhmen

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka shkruar sot një editoral mbi 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit,…