
Sala: Shëndetësia dhe mirëqenia sociale, 108,8 miliardë lekë buxhet në 2026-ën
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala u shpreh sot se shëndetësia dhe mirëqenia sociale do të hyjnë në një etapë të re zhvillimi me buxhetin më të madh, prej 108,8 miliardë lekësh, ose 12,8% të buxhetit të shtetit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala u shpreh sot se shëndetësia dhe mirëqenia sociale do të hyjnë në një etapë të re zhvillimi me buxhetin më të madh, prej 108,8 miliardë lekësh, ose 12,8% të buxhetit të shtetit.
Në prezantimin e projekbuxhetit të MSHMS në Komisionin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Sala tha se “shëndetësia është një nga sektorët prioritarë të Qeverisë, duke pasur një rritje me 4,3 miliardë lekë krahasuar me vitin 2025”.
“Buxheti i vitit 2026 është një fillim i mirë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të filluar adresimin e disa objektivave, që mbeten gjithnjë të rëndësishme për qeverinë. Ky buxhet, prej 108,8 miliardë lekë financohet nga buxheti i shtetit në masën 75% (82,5 miliardë lekë) dhe nga kontributet e sigurimeve shëndetësore në masën 25% (26,3 miliardë lekë)”, theksoi Sala.
Sipas ministres Sala, gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka arritur përmirësime të dukshme në treguesit e shëndetit.
“Sot jemi ne jemi vendi me jetëgjatësinë më të lartë në Ballkanin Perëndimor, 79,3 vjeç në krahasim me 75,4 të mesatares dhe shumë afër nivelit të vendeve të BE-së, 81,4 vjeç”, tha Sala.
Pavarësisht arritjeve, ministrja Sala tha se sfidat janë të shumta.
“Po përballemi me një popullatë ku mosha mesatare vjen duke u rritur. Së dyti, si rezultat i ndryshimeve demografike dhe zhvillimeve socio-ekonomike, kemi një rritje të sëmundjeve kronike si: sëmundjet e zemrës, sëmundjet tumorale, sëmundjet e mushkërive dhe Alzheimer. Së treti, përparimi galopant në teknologji, digjitalizimi i sistemeve dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale, kërkojnë reformim të sistemit, për t’iu përgjigjur nevojave globale në shëndetësi”, vijoi ajo.
Sipas Salës, në projektbuxhetin 2026 është përfshirë efekti i rritjes së pagave në janar 2026, duke unifikuar llogaritjen e vjetërsisë në punë me një përqindje të diferencuar nga 1 vit deri 30 vite punë, si edhe indeksimin e pagave me 2,5%.
Sala tha se efekti financiar për këtë politikë është rreth 2,4 miliardë lekë do të mbështesë rritjen e pagave për rreth 4600 mjekë e farmacistë, si dhe 14200 teknikë të shkencave mjekësore e laborantë në sistemin shëndetësor.
Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deputeti i opozitës Bardh Spahia tha se buxheti dëshmon mungesën e vizionit social dhe përkujdesjes ndaj qytetarëve shqiptarë.
“Pas çdo tabele që shikoj, fshihet një e vërtetë e hidhur, që shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve nuk janë prioritet i shtetit shqiptar. Ky është një buxhet që ul ndjeshëm shëndetin dhe mirëqenien sociale. Buxheti është 2,2% më shumë se në vitin 2025, ndërkohë shpenzimet e shtetit rriten me 6,6%.
Rritja për sektorin më jetik është tri herë më e ulët se mesatarja e qeverisë”, tha Spahia.
“Me 2,97% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, Shqipëria po largohet me shpejtësi nga çdo standard evropian, ku mesatarja e BE për këtë sektor është mbi 7% e PBB. Në vend që të investohet te spitalet, fëmijët dhe të sëmurët, Qeveria mbështet kontratat koncesionare dhe shërbimet operative të vetes. Buxheti flet për muret, për shifra në letra dhe jo për jetën reale të qytetarëve shqiptarë. Një Qeveri që ul fondet dhe rrit buxhetin për propagandën nuk është as sociale, as e përgjegjshme. Opozita nuk e mbështet një buxhet që rrezikon, në vend të mbrojë shëndetin dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Spahia.
/Burimi ATSH



















