
“Shqipëria 2030″, ATSH në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës si dëshmitare e ngjarjeve që formësuan vendin
Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) është pjesëmarrëse në edicionin e 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili hapi dyert sot në Pallatin e Kongreseve dhe ku marrin pjesë 250 sipërmarrje e kompani nga 20 shtete të botës.

Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) është pjesëmarrëse në edicionin e 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili hapi dyert sot në Pallatin e Kongreseve dhe ku marrin pjesë 250 sipërmarrje e kompani nga 20 shtete të botës.
ATSH paraqitet në këtë panair me stendën e saj, ku përmes fotove dhe buletineve me lajme sjell një pjesë nga historia e saj hershme.
Stenda e ATSH-së në këtë aktivitet të rëndësishëm, ka tërhequr menjëherë vëmendjen e vizitorëve, historianëve, artistëve dhe gazetarëve.
Në stendën e ATSH-së ekspozohen fotografi ku paraqiten aspekte të jetës dhe punës në Shqipërinë e para viteve ’90. Ndërsa në ekran shfaqen fotografi të digjitalizuara nga arkivi historik, disa prej të cilave sjellin momente domethënëse nga puna në Fabrikën e Këpucëve në Tiranë (1948), kooperativat bujqësore gjatë vjeljes së duhanit (1975). Ndërsa nuk mungojnë foto nga Uzina e Prodhimit të Telave në Shkodër, Fabrika e Tullave, si edhe nga puna vullnetare për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, Kombinati i Tekstileve në Tiranë etj.
Përmes fotove dhe buletineve të lajmeve, që datojnë që prej vitit 1912, vizitorët kanë mundësi të udhëtojnë në kohë dhe të njohin historinë e Shqipërisë, kulturën dhe traditat e saj.
Arkivi i ATSH-së, një nga më të vyerit në vend, ofron një pasqyrë të rrallë të ngjarjeve historike, zhvillimeve kulturore dhe të fotografisë shqiptare. Vizitorët në panair kanë shprehur interes për të shfletuar dokumentet e rralla dhe për të njohur shërbimet e agjencisë ndër vite.
Përmes fotove, ATSH ruan kujtesën historike të periudhave të ndryshme që ka kaluar vendi dhe i jep një vlerë të veçantë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës.
Gjithashtu arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare me lajmet e kohës, nga më të rrallat jo vetëm në historikun e medieve në Shqipëri, por dhe të kulturës, fotografisë dhe entitetit kombëtar, janë një tjetër risi që do të zgjojë interesin e ekspozuesve dhe vizitorëve që do ndjekin këtë aktivitet.
Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili vjen me temën qendrore “Dritare drejt së Ardhmes – Shqipëria 2030”, synon të prezantojë përpara investitorëve të huaj vizionin e ri të zhvillimit të vendit “Shqipëria 2030”, përmes projekteve, strategjive dhe investimeve të përbashkëta mes sektorit publik dhe atij privat, që synojnë ndërtimin e një ekonomie moderne, të qëndrueshme dhe të hapur ndaj inovacionit.
Çdo vit, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group, është boshti i një network-u të pamatë biznesi dhe kulture, zotuar ndaj më shumë se 250 ekspozuesve që përfaqësojnë sipërmarrje të vëmendshme ndaj tregjeve të njohura dhe të panjohura, të gatshme për të ndarë dije dhe zgjidhje të reja të zbatueshme në sektorë të ndryshëm, që nga ndërtimi, energjia e rinovueshme, bujqësia dhe industria ushqimore, tekstili dhe industria e lehtë, siguria, digjitalizimi, arti dhe kultura.
Këto grupe sipërmarrësish shoqërohen nga delegacione zyrtare shtetërore duke i dhënë rëndësi faktit, për të kontribuar në zhvillimin e vendeve, teksa sipërmarrja është ajo që ka më tepër nevojë se kurrë për inkurajim, mbështetje, entuziazëm.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, që mbahet nga data 5 deri më 8 nëntor në Pallatin e Kongreseve, sjell mbi 250 ekspozues nga Shqipëria dhe rajoni, duke përfshirë kompani nga Italia, Greqia, Franca, Gjermania, Danimarka, Turqia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Stenda e ATSH-së, pjesë e pavijonit “Expo Foto”, i ofron publikut një mundësi unike për të njohur historinë e medieve shqiptare dhe rëndësinë e informacionit të saktë për publikun.
Burimi ATSH



















