
Malaj paraqet projektbuxhetin 2026: 10 miliardë lekë për rritje pagash për mbi 144 mijë punonjës
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026, i cili sipas tij, nuk është thjesht një dokument financiar, por “kontrata e qeverisë me qytetarët për zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie sociale dhe konsolidim fiskal”.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026, i cili sipas tij, nuk është thjesht një dokument financiar, por “kontrata e qeverisë me qytetarët për zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie sociale dhe konsolidim fiskal”.
Ministri Malaj theksoi se ky dokument reflekton prioritetet e programit qeveritar 2025-2029, për financa publike të shëndosha, për financimin e Planit të Rritjes dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Projektbuxheti për vitin 2026 parashikon 886,7 miliardë lekë shpenzime publike, me fokus në mirëqenien sociale, investimet për infrastrukturë moderne, zhvillimin e energjisë së gjelbër, digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e kapitalit njerëzor.
Ministri nënvizoi se katër shtyllat themelore të këtij buxheti janë rritja e qëndrueshme ekonomike, konsolidimi fiskal, mirëqenia sociale dhe përshpejtimi i integrimit europian.
Një ndër pikat më të rëndësishme të projektbuxhetit është Reforma e Pensioneve, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2026.
Sipas Malajt, kjo reformë do të garantojë një pension më të drejtë për qytetarët që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite.
“Deri në fund të mandatit, pensioni urban me vite të plota pune do të rritet në 40 mijë lekë nga 27.350 lekë që është aktualisht, pensioni rural në 18 mijë lekë nga 11.500 lekë, ndërsa pensionet e pjesshme, familjare dhe të invaliditetit do të pësojnë gjithashtu rritje të ndjeshme”, u shpreh ai.
Përveç pensioneve, projektbuxheti parashikon rritje të pagave dhe një politikë të re për indeksimin e tyre në administratën publike çdo dy vjet.
“Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, për t’u rritur më tej në 70 mijë lekë deri në fund të mandatit. Kostoja totale e rritjes së pagave dhe indeksimit parashikohet rreth 10 miliardë lekë dhe do të përfshijë mbi 144 mijë punonjës në të gjitha nivelet e administratës”, deklaroi Malaj.
Ministri Malaj theksoi se këto politikat sociale dhe ekonomike janë të mundshme falë një ekonomie të fortë dhe të qëndrueshme.
“Për vitin 2025, rritja ekonomike parashikohet 3,9%, e mbështetur në konsumin e brendshëm, investimet dhe turizmin, ndërsa papunësia ka zbritur në nivelin historik prej 8,5%. Inflacioni është stabilizuar në 2,2%, ndërsa pozicioni i jashtëm i vendit është përmirësuar falë uljes së deficitit të llogarisë korente dhe rritjes së eksporteve”, shtoi më tej.
Malaj bëri të ditur se në vitin 2024, borxhi publik ra në 54,2% të PBB-së, sipas tij, niveli më i ulët që prej vitit 2008, dhe pritet të ulet në 53,6% në fund të vitit 2026.
“Agjencitë ndërkombëtare Standard & Poor’s dhe Moody’s kanë rikonfirmuar vlerësimin “të qëndrueshëm” për ekonominë shqiptare, si shenjë besimi ndaj politikave fiskale të qeverisë”, theksoi Malaj.
Më tej, ministri u shpreh se të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen 823,1 miliardë lekë, ose 29,6% e PBB-së, me një rritje prej 52,9 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.
“Rritja e të ardhurave do të vijë si rezultat i rritjes ekonomike, politikave të reja tatimore, indeksit të çmimeve dhe zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave”, tha ai.
Sipas ministrit Malaj, Shqipëria po financon zhvillimin pa rrezikuar stabilitetin, duke ecur me përgjegjshmëri drejt forcimit të ekonomisë dhe afrimit të saj me standardet e Bashkimit Europian.
/Burimi ATSH



















