Projektbuxheti 2026, Malaj: Rritje investimesh në arsim, shëndetësi e bujqësi

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se projektbuxheti për vitin 2026 synon të ruajë ekuilibrat makroekonomikë dhe socialë, duke u fokusuar tek investimet publike dhe prioritetet sociale që garantojnë stabilitet dhe progres afatgjatë.


Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se projektbuxheti për vitin 2026 synon të ruajë ekuilibrat makroekonomikë dhe socialë, duke u fokusuar tek investimet publike dhe prioritetet sociale që garantojnë stabilitet dhe progres afatgjatë.

Në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve, ai u shpreh se shpenzimet e planifikuara për vitin e ardhshëm do të arrijnë në mbi 886,7 miliardë lekë, me një rritje që reflekton jo vetëm investimet në sektorët prioritarë, por edhe përgjegjësinë buxhetore të qeverisë.

Investimet publike do të përfaqësojnë 6,5% të PBB-së, ndërsa një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zbatimit të projekteve strategjike të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që synon ta kthejë Shqipërinë në një nyjë të re zhvillimi rajonal.

Malaj theksoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore, me rreth 89,8 miliardë lekë të planifikuara, që përfaqësojnë 3,2% të PBB-së dhe një rritje prej 4,3 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.

Për vitin e ardhshëm parashikohet sigurimi i teksteve shkollore falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, përfitime të veçanta për nxënësit në nevojë, bursa për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe transport falas për dhjetëra mijëra nxënës dhe mësues.

Në fushën e shëndetësisë, buxheti parashikon rreth 81,2 miliardë lekë, ose 2,9% të PBB-së, me një rritje prej 4,9 miliardë lekësh krahasuar me vitin paraardhës. Parashikohet trajtimi me recetë rimbursimi për rreth 400 mijë pacientë, rritje e financimit për barnat onkologjike, si dhe përmirësim i infrastrukturës spitalore me rikonstruksione të spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore. Po ashtu, Programi Kombëtar i Vaksinimit do të mbulojë 180 mijë fëmijë dhe 280 mijë qytetarë.

Sipas ministrit, mbrojtja sociale do të financohet me rreth 257,3 miliardë lekë, që përbëjnë 9,2% të PBB-së, me një rritje prej 11,6 miliardë lekësh në raport me vitin 2025. Ky fond do të përfshijë pagesat për ndihmën ekonomike, aftësinë e kufizuar, papunësinë, bonusin e bebeve dhe dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit politikë.

Edhe bujqësia do të përfitojë mbështetje të shtuar me rreth 16,3 miliardë lekë, përmes subvencioneve, garancive sovrane, kredive të buta dhe kompensimit të TVSH-së. Rreth 15 mijë fermerë do të përfitojnë nga masat mbështetëse, ndërsa 30 mijë të tjerë nga skema e naftës për bujqësinë.

Në sektorin e mbrojtjes, për vitin 2026 do të alokohen fonde që përfaqësojnë 2,12% të PBB-së, në përputhje me angazhimin e Shqipërisë ndaj NATO-s për të arritur 3,5% deri në vitin 2035. Krahasuar me një vit më parë, ky sektor përfiton 10,2 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet për infrastrukturën dhe energjinë do të zënë 2,8% të PBB-së dhe do të përfshijnë projekte madhore në rrugë, hekurudha, ujësjellës, kanalizime dhe ndërtimin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano. Ndër projektet më të rëndësishme janë zgjerimi i autostradave, rehabilitimi i linjave hekurudhore dhe rritja e cilësisë së shërbimeve të ujit të pijshëm.

Për sistemin e drejtësisë dhe rendit parashikohen 26,2 miliardë lekë, që përbëjnë 2,1% të PBB-së, me synimin për të përmirësuar infrastrukturën e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe për të forcuar funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Buxheti vendor për vitin 2026 arrin në rreth 97,7 miliardë lekë, me një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2025, çka sipas ministrit dëshmon se procesi i decentralizimit është realitet dhe jo retorikë. Transferta e pakushtëzuar për bashkitë do të rritet mesatarisht me 6,5%, ndërsa për qarqet me 4,1%, duke mundësuar zbatimin më efikas të projekteve dhe forcimin e mirëqeverisjes lokale.

Burimi ATSH

Kultura shqiptare kryefjalë e eventeve në Shambari të Francës, ekspozitë me 45 vepra arti nga Muzeu i Korçës

Shqipëria dhe kultura e saj do të jenë kryefjalë të jetës kulturore në qytetin Shamberi (Chambéry) të Francës për vitin…

Global 360

Osmani takohet me gra liderë në Emiratet e Bashkuara Arabe: Të gatshme për kapituj të rinj bashkëpunimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me gra lidere, me…

Diplovista

Linda Rama në Katar, reflektime mbi tranzicionin, kompleksitetin global dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë

Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama zhvilloi një bisedë me Laila Humairah në Qendrën për Lidership të Katarit.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

100-vjetori i themelimit të Urdhrit të Skënderbeut

Një tubim shpirtëror ishte eventi përkujtimor i 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit të Skënderbeut dhe i shugurimit të Urdhrave të…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Kultura shqiptare kryefjalë e eventeve në Shambari të Francës, ekspozitë me 45 vepra arti nga Muzeu i Korçës

Shqipëria dhe kultura e saj do të jenë kryefjalë të jetës kulturore në qytetin Shamberi (Chambéry) të Francës për vitin…