
Pogradeci destinacion i veçantë turistik, Xhakolli: Ky sezon ndër më të suksesshmit, ndikim edhe çmimet e ulëta
Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.
Sezoni turistik i këtij viti në bashkinë Pogradec është ndër më të suksesshmit në krahasim me vitet e mëparshme. Kjo vihet re në në rritjen e numrit të pushuesve vendas dhe turistëve të huaj, që kanë zgjedhur freskinë që ofron Pogradeci për të kaluar disa ditë pushimi.
Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se “gjatë kësaj periudhe kemi të evidentuar akomodimin në hotele dhe bujtina të 35 mijë turistëve, ku 12 mijë prej tyre janë të huaj”.
Ai thekson se edhe turizmi familjar është disa herë më i lartë se akomodimi në hoteleritë.
“Në Pogradec ka 44 hotele, rreth 2000 shtretër, 17 bujtina dhe një numër të konsiderueshëm të banesave apo apartamenteve, të cilat janë pjesë e turizmit familjar”, theksoi Xhakolli.
Ai shtoi se në Pogradec ka mjaft banesa (shtëpi të dyta) e rreth 2000 të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria të cilët qëndrojnë gjatë gjithë sezonit veror apo fundjavat.
“Një anë shumë pozitive për bashkinë tonë janë çmimet e ulëta dhe të përballueshme për gjithë secilin që pushon në Pogradec. Kjo e bën një turizëm të qëndrueshëm dhe të kërkuar në sezonin turistik veror”, tha Xhakolli.
Gjithashtu, për të promovuar vlerat historike dhe kulturore të bashkisë Pogradec janë hartuar një sërë materialesh promovuese si katalogë, guida turistike dhe harta orientuese në gjuhën shqipe, angleze dhe franceze.
Kryebashkiaku Xhakolli shprehet në intervistën për ATSH se “në qytet funksionon info-turizmi ku punonjësit e Drejtorisë së Turizmit orientojnë turistët e huaj dhe vendas për atraksionet turistike apo informacionet e tjera që ju duhen për të kaluar ditë pushimi në Pogradec”.
Në Pogradec ndodhen edhe një sërë monumentesh kulturore, historike dhe natyrore, të cilat vizitohen nga turistët e huaj dhe vendas.
“Vendet më të vizituara janë Muzeu Historik, Varret e Selcës , Bazilika e Linit , Guri i Kamjes. Interes të madh ka për të vizituar Parkun Kombëtar të Drilonit , fshatrat Tushemisht, Lin. Në Tushemisht dhe Lin ndodhen dhe numri më i lartë i bujtinave të cilat sjellin një shërbim shumë komod dhe të pëlqyeshëm për pushuesit”, thekson Xhakolli.
Një tjetër arsye që ka çuar në rritjen e numrit të turistëve janë edhe aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në Pogradec.
“Bashkia Pogradec ka hartuar një kalendar të pasur me aktivitete kulturore, artistike dhe sportive. Kalendari i “100 Ditëve të Verës” ka të përfshirë aktivitet të cilat ndiqen me shumë interes nga pushuesit”, shprehet kryebashkiaku Xhakolli për ATSH.
Turistët vendas e të huaj e cilësojnë Pogradecin jo vetëm si një vend shumë i bukur dhe klimaterik, por dhe për pastërtinë e cila është e dukshme dhe konkrete si tek ambientet e gjelbëruara, Sheshi i Trëndafilave, Odeoni etj.
Sa i përket masave të marra nga bashkia Pogradec për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Xhakolli tha se “prej fillimit të vitit kemi marrë masa për të patur një sezon turistik të suksesshëm dhe komod për gjithë secilin që pushon në qytetin tonë. Konkretisht, në pastrimin e gjithë qytetit, plazheve, shtimin dhe mirëmbajtjen e zonave të gjelbëruara, zbukurimi i qytetit me lule, trëndafila dhe mbjellja e pemëve. Në prag të sezonit veror ngrihet grupi i punës duke hartuar një plan konkret me detyra të përcaktuara për secilën Drejtori apo institucionet përkatëse”.
Në Pogradec plazhet publike dominojnë mbi ato private.
“Plazhet publike janë të pajisura me çadra falas për qytetarët. Ka plazh të dedikuar për persona me aftësi të kufizuar. Bashkia Pogradec ka një bashkëpunim me të gjitha subjektet tregtare apo operatorët turistikë për të evidentuar dhe zgjidhur problemet që dalin por edhe për të patur çmime të ulëta dhe përballueshme nga pushuesit dhe turistët”, nënvizoi kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli në intervistën për ATSH.
Pogradeci prej vitesh është një destinacion shumë i kërkuar falë paketës së plotë turistike, që nga liqeni i magjishëm, tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë.
Burimi ATSH