
Rama: Turistë nga gjithë bota shijojnë mikpritjen dhe plazhet publike të Sarandës dhe Ksamilit
Turistë nga gjithë bota po shijojnë këto ditë detin e mrekullueshëm, mikpritjen dhe plazhet publike të Sarandës dhe Ksamilit.

Turistë nga gjithë bota po shijojnë këto ditë detin e mrekullueshëm, mikpritjen dhe plazhet publike të Sarandës dhe Ksamilit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionet e disa prej tyre, të cilët vlerësojnë mikpritjen, ushqimin dhe plazhet e pastra.
“Shumë prej tyre vizitorë besnikë, të tjerët të sigurt që do të rikthehen, sepse brigjet e Jonit janë joshje me shikim të parë dhe e përjetshme”, u shpreh Rama.
Një prej operatorëve turistikë që operon në zonën e Sarandës u shpreh se për vitin 2025 Ksamili dhe Saranda janë nga vendet më të preferuara për turistët nga Izraeli.
“Kemi një fluks të jashtëzakonshëm turistësh dhe një rritje të kërkesave. Prenotimet e turoperatorit tonë arrijnë deri në muajin tetor. Jemi plot me prenotime dhe Ksamili mban vendin e parë”, bëri të ditur ajo.
Turistët e huaj që zgjedhin Sarandën e Ksamilin vlerësojnë veçanërisht plazhet, njerëzit traditat dhe ushqimin.
“Është bukur. Peizazh i mrekullueshëm. Po kalojmë momente shumë të këndshme në Sarandë”, tha një prej tyre.
Një tjetër vlerësoi bukuritë që ofron Saranda me “natyrën origjinale dhe detin super të pastër”.
“Do të doja t’ju ftoja të vizitoni një vend të bukur siç është Ksamili, në Shqipëri. Siç mund ta shihni moti është i ngrohtë dhe uji gjithashtu. Dua të them gjithashtu se njerëzit këtu janë shumë të dashur. Ata do t’ju ndihmojnë me çdo gjë që ju duhet gjatë qëndrimit këtu”, apeloi një tjetër turist i huaj.
Turistët e huaj shprehen veçanërisht të mahnitur nga Ksamili.
“Ejani dhe zbulojeni Ksamilin, është i veçantë, shumë i bukur, njerëz të dashur, uji i mirë!”, tha një prej tyre.
“Po shijojmë diellin, peizazhin e mrekullueshëm, motin e bukur, njerëzit e mirë, pijet e këndshme”, tha një tjetër.
“Sapo erdhëm këtu në plazhin publik. Plazhi është i pastër, falas. Deti është i bukur, njerëzit janë shumë mikpritës dhe ushqimi e pijet shumë të mira”, shtoi një tjetër.
Një turiste holandeze vlerësoi po ashtu motin e mirë dhe plazhet e bukura.
“Ushqimet dhe pijet janë të mira. Më pëlqen uji që është vërtetë blu dhe tashmë është plazh publik, të gjithë mund të vijnë”, shtoi ajo.
“Ndihem shumë mirë këtu. Dielli, njerëzit, janë të mrekullueshëm. Ushqimi është “wow”. Më i miri! Dhe njerëzit të presin me krahë hapur. Më pëlqen shumë”, tha një tjetër.