
Rama: Bashkia e Vlorës duhet të bëhet model i pagjumësisë, konkurs për emërimin e drejtorëve të rinj
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës. Gjatë një prononcimi për mediet, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, Rama përshëndeti dorëheqjet e dhëna nga drejtorët e bashkisë në Vlorës.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës. Gjatë një prononcimi për mediet, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, Rama përshëndeti dorëheqjet e dhëna nga drejtorët e bashkisë në Vlorës.
Rama gjithashtu ftoi profesionistët në Vlorë që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e bashkisë, ndërsa bëri me dije se asnjë person që ka mbuluar pozicione drejtuese në këtë bashki apo edhe në qark, nuk do të rimerret si drejtues.
“Drejtorët e bashkisë së Vlorës e kanë kuptuar mesazhin që qyteti është mbi të gjitha dhe mbi të gjithë dhe që janë të papërshtatshëm për të vazhduar që të kryejnë atë detyrë. Dua t’i ftoj të gjithë vajzat djemtë, gratë, burrat profesionistë në Vlorë që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e bashkisë së Vlorës, duke i siguruar se do të jemi shumë rigorozë në funksion të meritës. Secili sipas meritës që do të shprehë në këtë proces. E njëjta gjë do të vërë edhe për drejtuesit e institucioneve qendrore në qarkun e Vlorës, që edhe ata janë dorëhequr, dhe i falënderoj dhe përshëndes. Asnjë person që ka mbuluar pozicione drejtuese në bashkinë e Vlorës ose në qarkun e Vlorës nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit duhet të jenë të rinj.
Kam një thirrje të veçantë për pedagogët e Universitetit. Natyrisht që puna e tyre në universitet është shumë e vyer dhe e respektuar, por janë të mirëpritur që të kontribuojnë më shumë për qytetin dhe cilado apo cilido prej tyre që do të dëshirojë të afrohet në administratën e bashkisë apo në rolet drejtuese në institucionet qendrore do të jetë i mirëseardhur dhe i trajtuar me shumë respekt. Natyrisht, që vlerësimi do të bëhet sipas performancës së secilit në procesin e përzgjedhjes, që do të jetë shumë transparent, konkurrues dhe meritokratik”, tha Rama.
Rama u shpreh se bashkia e Vlorës duhet të bëhet një model i një administrate që u shërben qytetarëve dhe duhet të bëhet një model i pagjumësisë.
“Po ashtu të gjithë ata që kanë studiuar në Tiranë apo jashtë vendit dhe që janë të dëshiruar për të shërbyer për administratën e shtetit apo administratën vendore të Vlorës, dhe që ndërkohë punojnë kamerierë, të provojnë veten në konkurse që do të organizohen shumë shpejt. Bashkia do të konfirmojë të gjitha dorëheqjet dhe do të hapi garat. Njëkohësisht e njëjta gjë do të ndodhë dhe me institucionet qendrore. Ajo që ne kemi bërë në Vlorë me grupin e deputetëve që na dha një rezultat tepër të mirë, është vetëm hapi i parë në një rrugë transformimi, ku Vlora duhet të bëhet një model i një administrate që i shërben qytetarëve dhe bashkia e Vlorës duhet të bëhet një model i pagjumësisë”, tha Rama.
Burimi ATSH



















