Tirana pret Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
Shqipëria do të jetë mikpritëse e edicionit të dytë të Forumit të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë më 25–26 nëntor 2026, duke sjellë së bashku aktorë të rëndësishëm politikë, financiarë dhe ekonomikë për të diskutuar mundësitë e investimeve dhe bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit.

Pas edicionit të parë, forumi rikthehet në Tiranë me synimin për të nxitur investime të reja, për të forcuar partneritetet strategjike dhe për të krijuar mundësi konkrete bashkëpunimi mes bizneseve europiane dhe atyre të rajonit.
Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor (EU–WB6 Investment Forum), është një platformë e rëndësishme e bashkëpunimit ekonomik që bashkon përfaqësuesit më të lartë të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë dhe drejtues të bizneseve nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në qendër të diskutimeve do të jenë sektorët me potencial të lartë zhvillimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.
Përmes paneleve të nivelit të lartë, takimeve të drejtpërdrejta mes bizneseve (B2B) dhe sesioneve të posaçme për krijimin e partneriteteve, forumi synon të shndërrojë potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në projekte dhe mundësi konkrete investimi.
Mbajtja e këtij forumi në Tiranë përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, forcimin e bashkëpunimit me investitorët europianë dhe avancimin e integrimit ekonomik të rajonit me tregun e Bashkimit Evropian.
Kompanitë, investitorët, institucionet dhe aktorët e interesuar ftohen të marrin pjesë në këtë forum për të eksploruar mundësi të reja investimi dhe bashkëpunimi.
Marrë nga ATSH