
Tryezë dialogu në Cërrik, Denaj: Synojmë bujqësi konkurruese dhe evropiane
Politikëbërës, akademikë, fermerë dhe sipërmarrës janë mbledhur sot në Cërrik, në kuadër të një tryeze dyditore dialogu për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Politikëbërës, akademikë, fermerë dhe sipërmarrës janë mbledhur sot në Cërrik, në kuadër të një tryeze dyditore dialogu për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Qëllimi i këtij takimi është dëgjimi i problematikave dhe ideve të aktorëve që operojnë në fushën e bujqësisë, si dhe ndërtimi i një ure të re bashkëpunimi për të forcuar sektorin në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, si dhe drejtues të pushtetit vendor të disa qarqeve.
Në fjalën e saj, ministrja Denaj u ndal në arritjet e këtij sektori gjatë dekadës së fundit.
“Kemi arritur shumë bashkë, trefishim të sipërfaqes së kultivuar në serra, pesëfishim të eksporteve bujqësore në mbi 80 tregje ndërkombëtare, rritje të mbështetjes financiare për sektorin, si dhe investime në infrastrukturë, teknologji dhe siguri ushqimore”, tha Denaj.
Këto dy ditë, ministrja Denaj, i cilësoi një mundësi të rëndësishme për të ndarë ide dhe për të diskutuar sfidat e së tashmes dhe të ardhmes, me synim ndërtimin e një bujqësie moderne, konkurruese dhe europiane.
“Si politikëbërës, akademikë, biznese, kemi një objektiv të përbashkët, një biznes të bujqësisë moderne, konkurruese dhe brenda familjes europiane”, theksoi Denaj.
Burimi ATSH