Spiropali: KLSH, partner në luftën e përbashkët kundër korrupsionit

Në veprimtarinë me rastin e 100-vjetorit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kryetarja e Kuvendit konfirmoi mbështetje të plotë


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali siguroi sot se “Kuvendi do të vazhdojë të mbështesë Kontrollin e Lartë të Shtetit si një partner në përpjekjet për të rritur performancën financiare dhe për të mbështetur sundimin e ligjit”.

Në veprimtarinë me rastin e 100-vjetorit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Spiropali foli për rrugëtimin njëqindvjeçar të këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit shqiptar, ndërsa nënvizoi se “pavarësia e depolitizimi i këtij institucioni është sanksionuar në Kushtetutë dhe ligjin organik”.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, sipas saj, është edhe starti i një rrugëtimi të ri, kur të gjitha institucionet e Republikës do të jenë institucione të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Spiropali siguroi se Kuvendi do të vijojë të mbështesë të gjitha institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe pavarësinë e tyre, për të përmbushur misionin si roje te interesit publik e qytetar.

“Pavarësia e institucioneve është një përmasë jetike e mirëfunksionimit të pushteteve në sistemin demokratik, po aq sa edhe përgjegjësia, transparenca dhe llogaridhënia e tyre. Prandaj deviza e bashkëpunimit tonë përmblidhet në tre fjalë: pavarësi, mbështetje, partneritet”, tha ajo.

Në këtë drejtim, Spiropali vlerësoi përpjekjet për forcimin e pavarësisë dhe profesionalizmit institucional të KLSH-së, si një institucion kushtetues, që udhëhiqet nga parimet e shtetit të së drejtës, vlerësime këto edhe të raporteve më të fundit të monitorimit të Shqipërisë nga OECD dhe BE.

“Megjithatë, Kuvendi, por mendoj edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndajmë të njëjtin vlerësim se është i nevojshëm forcimi i mbikëqyrjes parlamentare, për ta bërë veprimtarinë tuaj më efektive, për të rritur transparencën dhe ndikimin e auditimeve në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

“Bashkëpunimi ynë më i ngushtë e më i hapur si edhe komunikimi më intensiv do të fuqizojnë dimensionin parandalues të veprimtarisë së Kontrollit dhe harmonizimin më të mirë me masat ndëshkimore. Sinergjia midis parandalimit dhe ndëshkimit nuk është vetëm një kërkesë e Kuvendit, as vetëm e kohës sonë. Ka qenë e tillë edhe në hapat e parë të funksionimit të këtij institucioni, kur burimet e shtetit shqiptar për ta mbajtur atë ishin të kufizuara, përvoja mungonte dhe kapacitet institucionale e burimet njerëzore po ashtu ishin modeste. Është e tillë edhe në institucionet homologe të vendeve të Bashkimit Europian dhe të shteteve të tjera demokratike”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Spiropali theksoi se “Kuvendi është i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe për këtë ka kërkuar dhe do të vijojë të kërkojë kontributin tuaj”.

Lufta korrupsionit, sipas saj, nuk synon goditjen e punonjësve publikë si një qëllim në vetvete, por edhe mbështetjen e tyre për të menaxhuar më mirë burimet e shtetit, si dhe mbylljen e shtigjeve ligjore dhe institucionale për abuzim.

“Lufta jonë e përbashkët e pakompromis, e vendosur dhe me temp në rritje kundër korrupsionit, shpërdorimit të posteve dhe abuzimeve me financat publike, nuk duhet të na stepë të dallojmë shpërdoruesit, abuzuesit dhe krimet në menaxhimin e financave, programeve e projekteve publike, nga shërbyesit korrektë, të ndershëm dhe dinjitozë të shtetit, të cilët kanë kontribuar e kontribuojnë për zhvillimin e vendit. Shqipëria është sot para dyerve të Bashkimit Evropian edhe në saj të kontributit të tyre”, u shpreh Spiropali.

Në vijim edhe të zbatimit të rekomandimeve të Raporteve të Progresit të Komisionit Europian, Kryetarja e Kuvendit siguroi se po punohet për forcimin e mekanizmit të zbatimit të rekomandimeve, përmes dialogut dhe bashkëpunimit më të strukturuar të Kuvendit me Kontrollin e Lartë të Shtetit.

“Ky bashkëpunim ka marrë një dimension të ri pas ngritjes së Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, një strukturë që synon të sigurojë një ndërlidhje më të ngushtë dhe më efektive ndërmjet funksionit kontrollues të Kuvendit dhe veprimtarisë audituese të KLSH-së. Ky Nënkomision përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm për mbikëqyrjen parlamentare të menaxhimit të financave publike dhe që në themelimin e tij ka dëshmuar potencialin për të sjellë një frymë të re përgjegjshmërie, transparence dhe dialogu institucional”, theksoi ajo.

Sipas saj, “ky është një zhvillim që duhet përshëndetur dhe inkurajuar, pasi po rrit cilësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcon kontrollin demokratik mbi administratën publike dhe përmirëson kulturën e llogaridhënies në të gjitha nivelet e qeverisjes”.

“Kuvendi mbetet i përkushtuar për ta çuar përpara këtë partneritet të rëndësishëm, në funksion të interesit publik dhe të ndërtimit të institucioneve më të forta, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Kuvendi i Shqipërisë është plotësisht i angazhuar për të fuqizuar më tej mjetet dhe mekanizmat inovative që i shërbejnë rritjes së transparencës dhe ndjekjes efektive të rekomandimeve të auditimit”, shtoi Spiropali.

Një nga iniciativat më të rëndësishme në këtë drejtim, sipas saj, “është rikonfigurimi i Platformës Ndërinstitucionale Online, një instrument modern dhe gjithëpërfshirës, që synon të mundësojë një ndërlidhje më efikase ndërmjet institucioneve që prodhojnë, trajtojnë dhe zbatojnë rekomandime audituese dhe Kuvendit si organ mbikëqyrës”.

Spiropali siguroi se “Kuvendi do të vijojë të luajë një rol kyç në këtë proces, jo thjesht si mbikëqyrës, por si nxitës i një kulture të re bashkëpunimi e llogaridhënieje në të gjithë spektrin institucional”.

“Modernizimi i praktikave, zgjerimi i fushëveprimit, rritja e ndikimit të auditimeve në administratën publike, përmirësimi i transparencës dhe komunikimit me publikun, rritja e kapaciteteve institucionale dhe burimeve njerëzore, vlerësoj se janë disa nga prioritetet tuaja, të cilat mund të rrisin cilësinë e kontrollit dhe auditimit si edhe efektivitetin e punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike, për të cilat ndihma e Kuvendit as ka munguar dhe as do të mungojë”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.

Burimi ATSH

Rama për televizionin austriak ORF: Anëtarësimi në BE një mundësi historike

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me Christian Wehrschutz, gazetari i njohur televizionit austriak, ORF.

Global 360

Presidentja Osmani kërcënohet me jetë, thotë këshilltari i saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë gjatë kësaj jave, tha këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Diplovista

Rama për televizionin austriak ORF: Anëtarësimi në BE një mundësi historike

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me Christian Wehrschutz, gazetari i njohur televizionit austriak, ORF.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

“The Telegraph”: Liderët evropianë dhe amerikanë, e shohin Ramën si forcë stabilizuese në rajon

Gazeta britanike i kushton një profil kryeministrit Edi Rama

Masmedia

Rama për televizionin austriak ORF: Anëtarësimi në BE një mundësi historike

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me Christian Wehrschutz, gazetari i njohur televizionit austriak, ORF.