Konferenca rajonale, riformësim integrimit të ekonomive të BP në epokën dixhitale
Konferenca Rajonale mbi Lehtësimet Tregtare “Fuqizimi i Partneriteteve Bashkëpunuese në Epokën Digjitale”
Doganat dhe agjencitë e tjera shtetërore të Ballkanit Perëndimor do të bashkëpunojnë edhe më ngushtë për të shfrytëzuar potencialin e partneriteteve të krijuara në peizazhin dixhital, që evoluon në mënyrë të vazhdueshme.
Këto ishin konkluzionet kryesore nga Konferenca Rajonale mbi Lehtësimet Tregtare “Fuqizimi i Partneriteteve Bashkëpunuese në Epokën Digjitale”, mbajtur më 8-9 nëntor në Tiranë.
Konferenca mblodhi së bashku rreth 200 përfaqësues të lartë nga shteti dhe biznesi nga Ballkani Perëndimor, Moldavia, Shtetet Anëtare të BE-së, Komisioni Evropian, Organizata Botërore e Doganave dhe Shtetet e Bashkuara. Konferenca u organizua në kuadër të projektit të GIZ, “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermane, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë.
Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, nënvizoi progresin e bërë në integrimin ekonomik rajonal theksoi se procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të përmbushur synimet për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit.
Karl Bergner, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri, theksoi rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese për rritjen ekonomike të rajonit. “Integrimi ekonomik rajonal është thelbësor për të pasur sukses me reformat ekonomike në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, si dhe duhet përforcuar përkushtimi i tyre për të krijuar politika tregtare efikase që mund të plotësojnë detyrimet e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Prioriteti madhor i këtyre përpjekjeve është të përshpejtohet agjenda e zgjerimit në rajon dhe zbatimi i nismave të Procesit të Berlinit, të cilat janë bërë tashmë pjesë integrale e politikës së BE-së ndaj rajonit”, theksoi ai.
Genti Gazheli, drejtor i përgjithshëm i Doganave, nënvizoi rëndësinë e strategjive përshtatëse në lehtësimin e tregtisë. Hubert Perr, shefi i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, deklaroi se puna për lehtësimin e tregtisë është themelore, si për zhvillimin e tregut rajonal, ashtu edhe për integrimin në tregun e përbashkët të BE-së.
Philippe Duponteil, drejtor i Politikave Doganore dhe Tatimore Dixhitale (DG TAXUD) i Komisionit Evropian deklaroi se “bashkëpunimi, partneriteti dhe besimi janë tri fjalë që ecin dorë për dore në botën e doganave.
Këto tri fjalë ishin pishtarët e Komisionit Evropian në dy vitet e fundit. Më 17 maj 2023, Komisioni miratoi Paketën e Reformës së BE-së për Doganat. Kjo është reforma më e madhe dhe më ambicioze që nga krijimi i Bashkimit Doganor në vitin 1968.
Kunio Mikuriya, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave pohoi se promovimi i lehtësimit të tregtisë rajonale qëndron lart në agjendën e OBD-së.
Tanja Bošković, drejtuese e projektit të GIZ, nënvizoi peshën e bashkëpunimit në integrimin ekonomik të rajonit, duke vënë theksin te rëndësia e lehtësimit të tregtisë rajonale, si një përpjekje shumësektoriale, shumëdimensionale dhe shuminstitucionale, e cila kërkon që doganat dhe agjencitë e tjera shtetërore të punojnë krah për krah, për të çuar përpara bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.
Ines Muçostepa, kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, deklaroi se Forumi i Investimeve i 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor ka realizuar një studim që prezanton propozimet e sektorit të biznesit për politikëbërësit e Ballkanit Perëndimor, disa prej të cilave janë investime në korsi më të gjelbra dhe blu.
Konferenca ishte një mundësi për të ndarë praktika të mira, jo vetëm brenda BE-së por edhe nga mbarë bota, me qëllim promovimin e bashkëpunimit më efektiv brenda Ballkanit Perëndimor dhe me BE-në.
Konferenca nxiti diskutime dinamike që projektojnë udhën drejt së ardhmes ekonomike të rajonit dhe avokojnë bashkëpunimet progresive. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për novacion dhe një qasje të re drejt lehtësimit të tregtisë, si premisë për një trajektore të ndritshme dhe solide për lulëzimin ekonomik të rajonit.