
Gonxhja: 114 vjet më pas, flamuri kuq e zi valëvitet më lart se kurrë mbi një Shqipëri gjithnjë e më pranë BE
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përcjellë urimet për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke ndarë edhe një kolazh të veçantë me sekuenca nga arkivi i kinematografisë shqiptare.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përcjellë urimet për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke ndarë edhe një kolazh të veçantë me sekuenca nga arkivi i kinematografisë shqiptare.
Përmes pamjeve të shkëputura nga filma të ndryshëm shqiptarë, kolazhi sjell në vëmendje jo vetëm momente që lidhen me Pavarësinë dhe festën kombëtare, por edhe skena nga jeta e përditshme, zhvillimi dhe transformimet e shoqërisë shqiptare ndër vite.
Një udhëtim përmes kujtesës filmike, ku historia, arti dhe përjetimet e brezave ndërthuren në një rrëfim për Shqipërinë.
“Sot, 114 vjet më pas, flamuri kuq e zi valëvitet më lart se kurrë mbi një Shqipëri gjithnjë e më pranë familjes së madhe të Bashkimit Europian, krenare për kulturën që trashëgon, për mikpritjen që u ofron udhëtarëve nga mbarë bota dhe për sportistët që e përfaqësojnë me dinjitet në arenat ndërkombëtare”, shprehet Gonxhja.
Kolazhi i sjellë nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit rikthen në vëmendje vlerën e arkivit filmik shqiptar si një dëshmi e çmuar e kujtesës kolektive, duke e bërë kinematografinë edhe një mënyrë për të përkujtuar historinë, për të ruajtur identitetin dhe për të përcjellë te brezat e rinj rrugëtimin e vendit.
Marrë nga ATSH

















