
Shiroka Pula: Do të vijojmë forcimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka rikonfirmuar angazhimin për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), avancimin e kapaciteteve mbrojtëse

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka rikonfirmuar angazhimin për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), avancimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj, në mesazhin e përcjellë me rastin e 27 Nëntorit, Ditës së Forcës.
Në deklaratën e saj, presidentja, njëherazi Komandante Supreme e FSK-së, theksoi se Ushtria e Kosovës përfaqëson aspiratën e brezave për një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë për ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s.
“Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, u shpreh Shiroka Pula.
Në mesazhin e saj, presidentja nderoi sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, duke vlerësuar se kontributi i tyre mbetet burim frymëzimi dhe përgjegjësie.
Shiroka Pula shprehu mirënjohje edhe për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për shërbimin e tyre në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
“Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët”, përfundoi presidentja, duke përcjellë urimet për Ditën e Forcës.
/KosovaPress

















