
Ndryshimet klimatike, Kina në pararojë
Midis datave 9 – 20 nëntor 2026, organizohet në Turqi, Antalia, në Qendrën e Ekspozitave, Konferencën e 31-të të Palëve në Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), që njihet edhe si COP 31

Nga Prof.Dr. Enriko Ceko
Midis datave 9 – 20 nëntor 2026, organizohet në Turqi, Antalia, në Qendrën e Ekspozitave, Konferencën e 31-të të Palëve në Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), që njihet edhe si COP 31, një takim vjetor, forumi më i madh ndërkombëtar, në të cilin të tëra shtetet e botës me anë të përfaqësuesve të tyre, negociojnë për të koordinuar veprimet globale kundër krizës klimatike.
Presidenca e kësaj konference i takon vendit pritës, që përfaqësohet nga ministri i Mjedisit i Turqisë, Murat Kurum dhe negociatat kryesohen nga ministri i Australisë për Ndryshimet Klimatike dhe Energjinë, Chris Bowen. Në këtë takim, përveç përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse, janë të pranishëm edhe diplomatë, shkencëtarë, përfaqësues të biznesit dhe aktivistë të shoqërisë civile nga e gjithë bota.
Çështja kryesore në fokusin e këtij takimi është kufizimi i ngrohjes globale dhe objektivi është që vendet anëtare të punojnë për të mbajtur rritjen e temperaturës globale brenda kufirit prej 1.5°C mbi nivelet para-industriale, e specifikuar kjo edhe në Marrëveshjen e Parisit dhe për këtë më konkretisht në punimet e kësaj konference të vitit 2026, diskutohen aspekte të elektrifikimit dhe energjisë së pastër, duke synuar largimin nga lëndët djegse fosile dhe rritjen e përdorimit të energjisë elektrike të pastër në transport, ndërtesa dhe industri.
Në këtë kuadër shqyrtohet edhe çështja e financimeve të premtuara nga vendet e pasura për të ndihmuar vendet në zhvillim që të përshtaten me pasojat e ndryshimeve klimatike dhe në këtë aspekt, kjo veprimtari me përmasa globale synon që të vlerësojë edhe progresin real të vendeve në uljen e emetimeve dhe të sigurojë që zotimet e tyre të kthehen në veprime konkrete

Zv. Presidenti kinez, Han Zheng mban fjalë në konferencën COP31 në Antalia, Turqi/Foto nga Xinhua
Në këtë takim, Republika e Kinës përfaqësohet nga zv. Presidenti kinez, Han Zheng, i cili, në 11 nëntor 2026, si përfaqësues i posaçëm i Presidentit të Kinës, Xi Jinping, paraqiti fjalën e tij në këtë konferencë, duke deklaruar se “Presidenti Xi thekson se reagimi ndaj klimës është një kauzë e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Ndërsa ndikimet negative të ndryshimeve globale klimatike po shfaqen me një ritëm më të shpejtë, dëshiroj të bëj katër propozime” të cilat renditen më poshtë:
1. Përqendrimi te qëllimet e përbashkëta dhe veprimi kolektiv.
2. Përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër.
3. Parandalimi i fatkeqësive dhe rritja e qëndrueshmërisë klimatike.
4. Ruajtja e hapjes dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.
Le ti shohim më në detaje këto çështje:
· Përqendrimi te qëllimet e përbashkëta dhe veprimi kolektiv – kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Parisit, citohet të ketë deklaruar zv. Presidenti i Kinës, Han Zheng, i cili kërkoi respektimin e parimit të përgjegjësive të përbashkëta dhe njëkohësisht të diferencuara, sepse “vendet e zhvilluara duhet të udhëheqin në uljen e emetimeve dhe të përmbushin zotimet e tyre për financimin klimatik ndaj vendeve të tjera.” Për këtë pikë ai tha: “Të gjitha palët duhet të përmbushin plotësisht Kontributet e tyre të Përcaktuara Kombëtarisht (NDC) dhe të përpiqen të bëjnë më mirë.”
· Përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër – Kina kërkon heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë të teknologjive dhe produkteve të gjelbra me cilësi të lartë, duke rikonfirmuar objektivat e Kinës për vitin 2030 sipas të cilave synohet rritja e energjisë jo fosile me 50% të prodhimit total të energjisë elektrike dhe rritja e elektrifikimit në 35% të konsumit përfundimtar. Për këtë pikë ndër të tjera ai tha: “Është e rëndësishme të lehtësohet rrjedha e lirë e teknologjisë dhe produkteve cilësore të gjelbra, dhe të promovohet tranzicioni dhe përmirësimi i strukturës ekonomike dhe industriale.”
· Parandalimi i fatkeqësive dhe rritja e qëndrueshmërisë klimatike – ku theksi u vu në rëndësinë e barabartë për zbutjen e emetimeve dhe përshtatjen ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike dhe për këtë ai njoftoi se Kina do t’u mundësojë më shumë vendeve përdorimin e sistemit të saj të paralajmërimit të hershëm meteorologjik të bazuar në inteligjencën artificiale, të quajtur MAZU. Për këtë pikë ai tha: “Fokusi të jetë parandalimi i fatkeqësive klimatike dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj klimës, sepse duhet të jemi të përkushtuar si për zbutjen ashtu edhe për përshtatjen, duke forcuar bashkëpunimin në parandalimin dhe reduktimin e fatkeqësive, monitorimin dhe paralajmërimin e hershëm, si dhe shpëtimin, në mënyrë që të përmirësohet përshtatshmëria ndaj klimës”.

Vizitorë në pavijonin e Kinës në COP31, Antalia, Turqi/Foto nga Xinhua
· Ruajtja e hapjes dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar – çështje për të cilën Zv. Presidenti i Kinës, Han Zheng, kërkoi edhe më shumë mbështetje konkrete për vendet në zhvillim dhe në rastin e Kinës për këtë aspekt ai theksoi zgjerimin e projekteve të bashkëpunimit Jug-Jug, si nisma “Brezi Diellor i Afrikës”, zbatimin e një programi të ri trajnimi për lidershipin klimatik në Jugun Global, emërtuar Programi Global i Lidershipit për Veprimin Klimatik të Jugut dhe kontributin që Kina do japë në zbatimin e drejtë dhe efektiv të Skemës së Kompensimit dhe Reduktimit të Karbonit për Aviacionin Ndërkombëtar. Për këtë çështje ai tha: “Është e rëndësishme të ofrohet më shumë mbështetje dhe ndihmë vendeve në zhvillim dhe së bashku të ndërtohet një botë e pastër dhe e bukur.”
Në lidhje me përpjekjet e Kinës për të nxitur tranzicionin e gjelbër dhe për të promovuar bashkëpunimin Jug – Jug, vetë Shefi i OKB-së për klimën, vlerëson përpjekjet e Kinës për të nxitur tranzicionin e gjelbër dhe për të promovuar bashkëpunimin Jug-Jug, duke theksuar se “Kina po përmbush në mënyrë aktive objektivat e saj klimatike dhe po përparon tranzicionin e gjelbër. Sekretari Ekzekutiv i OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Simon Stiell, në një intervistë në lidhje me këtë temë theksoi: “Kina arriti objektivin e saj të kapacitetit të energjisë së erës dhe diellit për vitin 2030 gjashtë vjet përpara afatit, ky përparim ka treguar se çfarë mund të arrijë (1) një plan i qartë, (2) një investim i fortë dhe (3) një rezultat i qëndrueshëm. Në vitin 2025, teknologjitë e energjisë së pastër (energjia diellore, automjetet elektrike dhe më gjerë) përbënin më shumë se një të tretën e rritjes në ekonominë e Kinës, e cila ka një mundësi reale për të treguar se si veprimi klimatik dhe transformimi ekonomik mund të përparojnë së bashku, duke krijuar më shumë vende pune dhe duke rritur standardet e jetesës. Në lidhje me Kontributet e Përcaktuara Kombëtarisht të Kinës për vitin 2035, vendi po kalon nga premtimet në përmbushje, duke u angazhuar për ulje absolute të emetimeve së bashku me më shumë energji të pastër, kapacitet të energjisë së erës dhe diellit dhe mbulesë pyjore. Të tëra vendet duhet të sjellin të njëjtën qartësi dhe ambicie në planet e tyre. Angazhimi ndërkombëtar i Kinës në burimet e rinovueshme është rritur vit pas viti, duke hapur akses në energji elektrike të përballueshme, ndërsa mbështet vendet e punës dhe rritjen në vendet në zhvillim.”

Foto nga VCG
Por në fund të fundit për Kinën në lidhje me këtë çështje duhet thënë se mendimi menaxherial në nivel të lartë, është ai që ka bërë diferencën me vendet e tjera të botës. Përkushtimi në nivelet e larta drejtuese të vendit dhe në vendim marrje për mjedisin, klimën, energjinë e pastër, ujërat e pastra dhe tokat pjellore dhe mbrojtjen e tyre, pa kompromentuar zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm lidhet padyshim me mendimet e presidentit kinez për qytetërimin ekologjik (eko-civilizimin), paraqitur në maj të vitit 2018, në Konferencën Kombëtare për Mbrojtjen Eko-Mjedisore, zhvillua në Pekin, ku ai përcaktoi zyrtarisht “Mendimin e Xi Jinping-ut mbi Eko-Civilizimin”, që në fakt është më shumë (1) një ndryshim i thellë paradigme qytetëruese, (2) një ndryshim që ripërkufizon marrëdhënien e njerëzimit me natyrën, (3) një ndryshim që integron mirëqenien ekologjike në përparimin shoqëror dhe (4) një ndryshim që ofron një vizion kinez për qeverisjen ekologjike globale. Dhe konkretisht, mendimi i Presidentit të Kinës, Xi Jinping për këtë përmblidhet në gjashtë pika kryesore:
1. Bashkëjetesa harmonike midis njeriut dhe natyrës.
2. Ujërat e kthjellëta dhe malet e gjelbra janë pasuri të paçmuara.
3. Një mjedis i mirë ekologjik është mirëqenia më gjithëpërfshirëse publike.
4. Malet, lumenjtë, pyjet, tokat bujqësore, liqenet dhe kullotat formojnë një komunitet të gjallë.
5. Zbatimi i sistemeve më të rrepta dhe sundimi i ligjit për mbrojtjen e mjedisit.
6. Përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një eko-civilizim global.
Burimi CGTN

















