
Shkelja e rregullave për produktet digjitale, gjoba deri në 15 mln lekë ose 2,5% të xhiros për kompanitë
Masat janë pjesë e projektligjit “Për kërkesat e sigurisë kibernetike për produktet me elementë digjitalë dhe qëndrueshmërinë kibernetike”, i cili është hedhur për konsultim publik.

Prodhuesit, importuesit dhe tregtuesit e produkteve me elementë digjitalë në Shqipëri pritet të përballen me detyrime të reja për garantimin e sigurisë kibernetike, ndërsa mosrespektimi i tyre parashikohet të ndëshkohet me gjoba deri në 15 milionë lekë, ose 2,5% të xhiros vjetore të kompanisë.
Masat janë pjesë e projektligjit “Për kërkesat e sigurisë kibernetike për produktet me elementë digjitalë dhe qëndrueshmërinë kibernetike”, i cili është hedhur për konsultim publik.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur procesin e konsultimit publik për projektligjin “Për kërkesat e sigurisë kibernetike për produktet me elementë digjitalë dhe qëndrueshmërinë kibernetike”, duke ftuar qytetarët, ekspertët, institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe subjektet e interesuara të paraqesin sugjerimet e tyre.
Nisma ligjore synon krijimin e një kuadri të unifikuar për garantimin e sigurisë kibernetike të produkteve me elementë digjitalë që vendosen në tregun shqiptar, duke përcaktuar standardet që duhet të përmbushen gjatë projektimit, zhvillimit dhe prodhimit të tyre.
Një tjetër element i parashikuar është forcimi i mekanizmave të raportimit të cenueshmërive dhe incidenteve kibernetike, përmes një platforme të vetme raportimi, ku rol do të ketë edhe CSIRT-i kombëtar.
Sipas relacionit shoqërues, zbatimi i projektligjit pritet të ulë ekspozimin e produkteve ndaj rreziqeve kibernetike, të rrisë mbrojtjen e të dhënave dhe besimin e përdoruesve, si dhe të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Projektligji synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian në fushën e qëndrueshmërisë kibernetike.
Burimi ATSH


















