
Forumi i Zgjerimit në Bruksel, Hoxha: Vlerësimi i KE, përgjegjësi për të ecur përpara
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, gjatë Forumit të Zgjerimit 2026, që po zhvillohet në Bruksel.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, gjatë Forumit të Zgjerimit 2026, që po zhvillohet në Bruksel.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha iu referua fjalës së hapjes së Von der Leyen, e cila theksoi se “Shqipëria po dëshmon progres mbresëlënës”, duke e cilësuar zgjerimin e BE-së si “një investim në të ardhmen tonë të përbashkët”.
Ministri theksoi se ky vlerësim, i pasqyruar edhe në Raportin e Progresit 2026 dhe në udhërrëfyesin e procesit të anëtarësimit, dëshmon ecurinë e vendit, por njëkohësisht shton përgjegjësinë për vijimin e reformave.
“Prandaj, këto vlerësime duhet të na bëjnë të gjithëve krenarë, por edhe më të përgjegjshëm”, shkruan Hoxha.
Duke iu referuar mesazhit të presidentes së Komisionit Evropian, ai nënvizoi rëndësinë e shndërrimit të progresit në rezultate konkrete.
“Të gjithë, si vendet kandidate, ashtu edhe vendet anëtare, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta shndërrojmë progresin në rezultate konkrete. Është koha që zgjerimi i Bashkimit Evropian të bëhet një histori suksesi për të gjithë Evropën!”, citoi Hoxha deklaratën e Von der Leyen.
Ministri theksoi se perspektiva evropiane është më pranë se kurrë, duke kujtuar se anëtarësimi në BE ka qenë për dekada aspiratë dhe synim kombëtar i Shqipërisë.
“Për dekada, anëtarësimi në BE ka qenë dëshira, aspirata dhe kërkesa jonë. Sot kësaj i është bashkuar edhe ftesa dhe dora e zgjatur e BE-së për të ecur përpara me përgjegjësi, vendosmëri dhe besim në të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh Hoxha.
Burimi ATSH


















