
Bodo inspekton sigurinë dhe kushtet e trajtimit të të paraburgosurve në burgun e Beratit
Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, zhvilloi një vizitë inspektuese në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Berat, ku u njoh nga afër me funksionimin e institucionit dhe kushtet e trajtimit të personave të paraburgosur.

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, zhvilloi një vizitë inspektuese në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Berat, ku u njoh nga afër me funksionimin e institucionit dhe kushtet e trajtimit të personave të paraburgosur.
Gjatë vizitës, Bodo zhvilloi një takim me drejtuesit dhe punonjësit e institucionit, duke vlerësuar angazhimin dhe përgjegjësinë e tyre në përmbushjen e detyrave funksionale.
Në vijim, ajo inspektoi sektorët kryesorë të institucionit, duke u ndalur te masat e sigurisë dhe kontrollit, zbatimi i procedurave, kushtet e akomodimit, ushqimit dhe fjetjes, si dhe funksionimi i shërbimit shëndetësor.
Vëmendje e veçantë iu kushtua furnizimit me pajisje mjekësore dhe medikamente, si dhe kushteve të higjienës dhe pastërtisë në ambientet e institucionit, të cilat, sipas konstatimeve gjatë inspektimit, paraqiteshin në nivel të lartë.
Një tjetër pjesë e vizitës ishte takimi i drejtpërdrejtë me personat e paraburgosur. Bodo dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e tyre, duke u njohur me problematikat e ngritura. Për çështjet e paraqitura, ajo angazhoi strukturat përgjegjëse për shqyrtimin dhe trajtimin e tyre, duke kërkuar ndjekjen konkrete të çdo rasti dhe marrjen e masave përkatëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se vizitat inspektuese do të vijojnë edhe në institucionet e tjera penitenciare, me synim monitorimin e punës, evidentimin e problematikave dhe rritjen e përgjegjshmërisë institucionale.
Në fokus të këtyre inspektimeve mbetet garantimi i sigurisë, respektimi i të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur, trajtimi i tyre me dinjitet, si dhe përmbushja e standardeve të rehabilitimit dhe riintegrimit.
Burimi ATSH

















