Ibrahimaj: Zgjerojmë programet e strehimit, mbështetje edhe për familjet me të ardhura mesatare dhe të rinjtë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për strehimin social”


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për strehimin social”, duke theksuar se përmes këtij rishikimi synohet zgjerimi i mbështetjes përtej kategorive tradicionale të strehimit social, duke përfshirë edhe të rinjtë, çiftet e reja, profesionistët dhe familjet me të ardhura mesatare.

Ministrja u shpreh se ndryshimet synojnë t’i përgjigjen zhvillimeve demografike dhe ekonomike, rritjes së çmimeve të banesave dhe qirave, si dhe nevojës për instrumente të reja që lehtësojnë aksesin në strehim.

“Sot ka familje të cilat nuk përfshihen në kategori tradicionale të strehimit social, por që njëkohësisht nuk arrijnë të përballojnë çmimet e tregut. Ndaj, për këtë arsye, është e nevojshme që ne të prezantojmë dhe të miratojmë propozimet për ndryshimet e ligjit, ku bën pjesë strehimi i përballueshëm”, u shpreh Ibrahimaj.

Duke paraqitur ecurinë e programeve ekzistuese, ministrja bëri të ditur se që prej vitit 2018 janë mbështetur rreth 30 mijë familje, ose afërsisht 100 mijë qytetarë, përmes instrumenteve të ndryshme të strehimit. Prej tyre, 14 mijë familje kanë përfituar subvencionim të qirasë, mbi 7 mijë familje kredi të lehtësuara, ndërsa janë ndërtuar mbi 1 mijë banesa sociale dhe janë përmirësuar kushtet e banimit për më shumë se 6 mijë familje.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë dy programe të reja të kreditimit të lehtësuar. I pari përfshin subvencionimin e plotë të interesit për banesat me vlerë deri në 60 mijë euro, ndërsa programi i dytë parashikon kredi me interes 3% për banesa me vlerë deri në 200 mijë euro. Për të dy programet parashikohet përdorimi i instrumenteve të garancisë për të mbuluar parapagimin, duke lehtësuar aksesin në kredi për familjet dhe të rinjtë që nuk kanë mundësi të krijojnë kursime paraprake.

Duke ilustruar përfitimin nga kredia me interes zero, Ibrahimaj solli shembullin e një banese me vlerë 6 milionë lekë, ku kësti mujor për një periudhë 30-vjeçare do të ishte rreth 16,700 lekë, kundrejt rreth 32 mijë lekëve që do të paguheshin me një normë interesi 5%.

“Pra, përfituesit e kësaj kredie janë 15.000 lekë në muaj që mbeten më shumë në xhepat e familjeve të reja apo profesionistëve të rinj apo çifteve të reja, me përfitimin e kësaj kredie dhe të këtij subvencioni, sesa po të merrnin një kredi të zakonshme”, tha ajo.

Një tjetër instrument i ri është subvencionimi deri në 50% i qirasë për një periudhë të kufizuar, për të rinjtë, çiftet dhe profesionistët që zhvendosen në qytete të tjera për studime apo punësim. Projektligji parashikon gjithashtu mekanizmin “qira në blerje”, përmes të cilit një pjesë e qirasë së paguar mund të llogaritet si zbritje nga çmimi i banesës në rast se qiramarrësi vendos ta blejë atë.

Një risi tjetër është modeli i zhvillimit të lagjeve të reja në toka shtetërore, përmes formulës 30-40-30: 30% e banesave për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm dhe 30% për tregun e lirë.

“Në këtë mënyrë, ne garantojmë që do të kemi një integrim të duhur edhe të kategorive sociale, të cilat kanë nevojë të jetojnë të integruara dhe kanë nevojë të jetojnë nëpër lagje në të cilat ka shkolla, ka infrastrukturë, ka çerdhe, ka kopshte”, theksoi ministrja.

Në aspektin institucional, projektligji parashikon krijimin e një Bordi Drejtues, nën drejtimin e ministrit përgjegjës për strehimin, si dhe fuqizimin e strukturave që do të zbatojnë politikat e reja. Gjithashtu, parashikohet krijimi i Fondit të Strehimit dhe Kohezionit Social, ku do të bashkohen financimet nga buxheti i shtetit, fondet e bashkive dhe burime të tjera të ligjshme.

Sipas ministres, një ndër synimet kryesore të këtij mekanizmi është vënia në përdorim e fondeve të pashfrytëzuara nga bashkitë, të cilat vijnë nga detyrimi prej 3% për strehimin social. Ibrahimaj bëri të ditur se bëhet fjalë për rreth 11,5 miliardë lekë të akumuluara në buxhetet e bashkive, të cilat përmes fondit të ri do të mund të përdoren për programet e strehimit social dhe të përballueshëm.

Ministrja e lidhi reformën e strehimit me politikat e tjera ekonomike të qeverisë për uljen e kostove të jetesës dhe rritjen e të ardhurave të familjeve shqiptare, duke iu referuar edhe ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale për rritjen e pragut të tatimit mbi të ardhurat nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj.

“Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, i cili vjen në të gjithë logjikën dhe në të gjithë konceptin e politikave që qeveria shqiptare ka paraqitur në Parlament, ku synimi është që ne të mbështesim familjet shqiptare për reduktimin e kostove të jetesës”, përfundoi Ibrahimaj.

Marrë nga ATSH

Ibrahimaj: Zgjerojmë programet e strehimit, mbështetje edhe për familjet me të ardhura mesatare dhe të rinjtë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm ndryshimet…

Global 360

Vendet evropiane vendosin kushte për bisedimet e sigurisë me Rusinë

Një shumicë e madhe e vendeve evropiane janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me Rusinë për çështjet kryesore të sigurisë…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Ibrahimaj: Zgjerojmë programet e strehimit, mbështetje edhe për familjet me të ardhura mesatare dhe të rinjtë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm ndryshimet…