
Kurti takon Magyar: Hungaria është një nga qendrat e rëndësishme në rrugën euroatlantike të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se sa më e integruar dhe më e fortë institucionalisht të jetë Kosova, aq më e qëndrueshme e më prosperuese do të jetë e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se sa më e integruar dhe më e fortë institucionalisht të jetë Kosova, aq më e qëndrueshme e më prosperuese do të jetë e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me homologun e tij hungarez Péter Magyar, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian sot në Dublin të Irlandës.
Kurti tha se janë të interesuar për një intensitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe, duke zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në një sërë sferash, nga arsimi tek ekonomia.
“Hungaria është një nga kontribuueset më të mëdha me trupa në kuadër të KFOR-it dhe ka rol të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale”, tha kryeministri Kurti duke shtuar se Budapesti është një nga qendrat e rëndësishme në rrugën euroatlantike të Kosovës.
Sot, rreth 50 udhëheqës ndërkombëtarë do të mblidhen në Qendrën e Konventave në Dublin për një takim të EPC-së.
Ukraina, inteligjenca artificiale dhe kërcënimet hibride në të gjithë Evropën do të dominojnë takimet kryesore të BE-së në Dublin të enjten dhe të premten. Bisedimet mbi inteligjencën artificiale do të jenë diskutimi i parë i tillë midis udhëheqësve të BE-së.
EPC është forum joformal për udhëheqësit evropianë për të zhvilluar diskutime politike dhe strategjike mbi çështje me shqetësim të përbashkët. U krijua në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe takohet dy herë në vit. Tema e samitit në Dublin është “Evropa – e fortë, e sigurt dhe e lidhur”. /KosovaPress/



















