
DPA, bashkëpunim me Poloninë për trashëgiminë arkivore
Drejtori i përgjithshëm i Arkivave (DPA), Auron Rrokaj priti sot në një takim të ngarkuarin me punë të ambasadës së Polonisë në Tiranë, Wojciech Unolt.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave (DPA), Auron Rrokaj priti sot në një takim të ngarkuarin me punë të ambasadës së Polonisë në Tiranë, Wojciech Unolt.
Në fokus të bisedimeve ishin propozimet për shkëmbimin e përvojave dhe të dokumenteve me interes reciprok dhe mbajtjen e aktiviteteve kulturore të përbashkëta.
Unolt vizitoi ambientet e Muzeut Arkivor, ku shprehu mbresa për ekspozitën e përhershme, një hapësirë që ndërthur dokumentet e riprodhuara me teknologjinë, ndërveprimin dhe zbavitjen.
Pjesë e vizitës ishte edhe vendruajtja e dokumenteve, ku ambasadori polak pa nga afër disa prej njësive arkivore të Fondit “Koleksion i Kodikëve”, pjesë e pasurisë së pamatë që strehon Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH).
Në funksion të mbarëvajtjes së marrëdhënieve me bashkëpunëtorët, kreu i DPA-së ka zhvilluar më herët takime me zëvendësshefen e Misionit në Detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Kathryn Hammond, me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Pang Chunxue, si edhe me përfaqësuesit diplomatikë të Turqisë dhe të Palestinës.
Me synimin për të pasuruar arkivat shqiptare dhe për të ofruar shtysa për studime albanologjike të mëtejshme, Rrokaj ka zhvilluar takime edhe me aktorë universitarë, përfaqësues të arkivave homologe dhe të komuniteteve fetare në vend.
Burimi ATSH



















